Një ngjarje e denjë për një film aksion ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në kryeqytet. Dy të rinj që po udhëtonin me pistoleta me një automjet, nuk i janë bindur urdhërit të policisë për të ndaluar e në përpjekje për të shpëtuar kanë përplasur disa makina në zonën e bulevardit të ri.
Udhëtonin me një automjet Tuareg, kishin me vete pistoleta pa leje, e në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, kanë përplasur katër automjete, duke terrorizuar përdoruesit e tjerë të rrugës. Ngjarja e denjë për filma aksion ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në kryeqytet, në zonën e bulevardit të ri, pranë stacionit të trenit.
Sipas informacioneve operative, në aksident u përfshinë edhe dy motorë të forcave Shqiponja, që po ndiqnin mjetin Tuareg, që nuk iu bind urdhërit të policies e u bë shkak i aksidentit të disafishtë. Sipas informacionit që policia përcolli afër mesditës së të premtes, ngjarja ndodhi në orën 23:20 të të enjtes, pranë burgut “Jordan Misja”, kur një automjet tip Tuareg, nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri që kishin armë me vete, rriti shpejtësinë, goditi katër automjete në përpjekje për t’i shpëtuar policisë.
Kur lëvizja me mjet është vështirësuar, dy personat kanë lënë makinën dhe kanë tentuar të largohen në këmbë nëpër rrugicat e zonës së burgut 313, ndërsa dy pistoletat që kishin me vete, i kanë hedhur në oborrin e një banesë dhe në rrugicë. Por policia ia ka dalë t’i ndalojë të dy nëpër rrugicat e rrugës Jordan Misja. Ata janë Gentjan Koçi, 25 vjeç dhe Ervin Kodra, 33 vjeç, të dy banues në Tiranë. Të dy akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Shkatërrim prone” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”./abcnews.al