Tirana synon të lerë prapa disfatën ndaj Kamzës, dhe të arrijë suksesin e parë në Superligë. Trajneri Ze Maria thotë se çfarë duhet të ndryshojë ekipi i tij që t’ia dalë ndaj Teutës.
Nuk ka lumturi kur e nis me humbje, aq më shumë kur ke aq emër të madh. Tirana vazhdon stërvitjen me kokën ulur, ndërsa afron sfida e dytë e Superligës ndaj Teutës, ndërsa ajo e para, kundër Kamzës përfundoi me disfatë. Trajneri Ze Maria, ndërkaq, është i vetmi që del përpara mediave dhe publikut, duke mbajtur mbi supe gjithë presionin.
Ze Maria: “Teuta është ekip shumë i fortë. E pashë në ndeshjen ndaj Flamurtarit dhe luajti një futboll mjaft të mirë. Është skuadër me lojtarë mjaft cilësorë dhe të fortë, si çdo ekip tjetër i Superligës. Tirana, ndërkaq, duhet të japë maksimumin dhe të shënojë gol, pasi në futboll kanë më shumë rëndësi golat sesa rastet që krijon për shënim”.
Ndaj Kamzës nuk u luajt keq, por pati dështim, a do të ketë ndryshime këtë herë?
Ze Maria: “Natyrisht që diçka duhet të ndryshojë në këtë ndeshje. Unë po pres sesi do të jetë Hasani, nëse do të jetë mirë, do të luajë. Sa për lojtarët e tjerë, mund të ketë një ose dy ndryshime, jo më shumë. Besoj se hap pas hapi, në fushë do të shfaqet skuadra që unë kam në mendje”.
Ndoshta, problem për trajnerin është mungesa e lojtarëve. Si mendon Ze Maria, a duhet të afrojë Tirana futbollistë të tjerë?
Ze Maria: “Në këtë grup, padyshim, ka nevojë për përforcime. Na mungojnë të paktën dy lojtarë, një sulmues, një lojtar krahu. Kam folur me klubin dhe drejtuesit po punojnë. Ju kam thënë se ky grup do të jetë i plotë pas ndeshjes së tretë të kampiontit, dhe do të jetë gati për të luftuar për një nga 3 vendet e para”./abcnews.al