Tirana thyen rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve

schedule16:45 - 21 Mars, 2018

schedule 16:45 - 21 Mars, 2018

Bashkia e Tiranës thotë se ka thyer rekordin që i vendosi vetes për mbjelljen e pemëve të reja. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj deklaroi se tashmë kryeqyteti ka më shumë gjelbërim dhe oksigjen dhe se aksioni mbjelljeve do të vazhdojë.

Me 800 pemët e mbjella në Mjull Bathore, bashkia thotë se e theu rekordin që i kishte vendosur vetes dhe tashmë Tirana ka 100 mijë pemë të reja. Në Ditën Botërore të Pyjeve kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se aksioni, që prej disa muajsh iu bashkuan donatorë e qyetarë do të vijojë.

 “Kemi pasur një fushatë me energji fantastike për Tiranën, e cila nisi thuajse si një lojë, duke mbjellë një pemë këtu e një atje, por siç gur-gur bëhet mur, edhe pemë-pemë bëhen 100 mijë pemë. Sot e kemi kaluar me disa dhjetëra pemë qëllimin tonë për 100 mijë pemët. Falenderoj të madh e të vogël: patëm donatorë që dhuruan nga 3 mijë pemë, por edhe fëmijë që dhuruan një pemë për ditëlindjen e tyre. Duke qenë se kemi mbi 100 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që janë ende në listë pritje për të dhuruar pemë, po mendojmë ta shtyjmë me disa ditë afatin dhe fushatën e mbjelljeve. Kështu, nesër pasi të bëjmë një bilanc të 100 mijë pemëve, do të deklarojmë datën e fushatës së re”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se nga ky aksion Tirana sot ka jo vetëm më shumë gjelbërim, por ka ndryshuar edhe mentalitetin e qytetarëve.

“Ndryshimi më i madh nuk është në relievin e qytetit, pavarësisht se është shtuar hijeshia dhe oksigjeni. Ndryshimi më i madh është ajo që kemi mbjellë në mentalitetin e qytetit tonë. Një qytet, i cili nuk i shikon gjërat e ndara, veç punët private, veç ato të qytetit, po ku secili e kupton që, para se të jetë biznesmen, para se të punojë në telekomunikacion, para se të bëjë një shërbesë fetare apo para se të jetë një bankier, ka detyrën e qytetarit. Kjo është puna jonë me kohë të plotë, të qënit qytetar”

Në mënyrë simbolike, për ditëlindjen e tij, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, mbolli pemën e 100 mijtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!