Në merkaton e verës Tirana provoi të zëvendësojë të larguarit dhe të dëmtuarit, por ndërhyrjet e bëra nuk rezultuan efikase, sidomos në ofensivë. Si pasojë bardhebluve u lind detyra të ndërhyjnë në merkato dhe duket se po e bëjnë më së miri.
Mbrëmjen e djeshme Tirana zyrtarizoi afrimin e Taulant Seferit në huazim nga Young Boys deri në fund të sezonit. Por duket se bardheblutë nuk mjaftohen me kaq. Abcnews.al nga burime pranë palëve mëson se kampionët janë në kërkim të një tjetër sulmuesi të shquar.
Sindrit Guri, ish-lojtari i Kukësit, aktualisht pjesë e Oostende në Belgjikë prej dy vitesh është objektivi i radhës për bardheblutë. Këta të fundit kanë zhvilluar kontaktet e para me përfaqësuesit e 27-vjeçarit, kontrata e të cilit me belgët përfundon në fund të sezonit, por nuk përjashtohet huazimi deri atëherë.
Guri nuk ka luajtur shumë te Oostende në këtë sezon, teksa numëron vetëm 4 ndeshje, pa gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës. Minutat e pakta mund ta shtyjnë shkodranin tu bashkohet bardhebluve. Ndërkohë mbrëmë në emisionin Pressing në ABC, menaxheri Elton Marini njoftoi se kampionët janë në tratativa me një tjetër ish-kuksian, Reginaldo. /abcnews.al