Tirana-Skënderbeu është kryendeshja e javës së katërt në kategorinë Superiore. Kampionet në fuqi të Partizanit udhëtojnë në transfertën e Laçit ndërkohë që Kukësi luan ndaj Bylis.
Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë ku spikat dueli Tirana-Skënderbeu. Një ndeshje kornizë për javën e katërt në elitën e futbollit shqiptar, e cila do të startojë të shtunën në orën 16:00. Bardheblutë do të shfrytëzojnë faktorin fushë pasi sfida do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”. Kryeqytetasit janë në një formë të shkëlqyer pasi kryesojnë tabelën e klasifikimit në kuotën e 7 pikëve.
Nuk qëndron pas Skënderbeu që ka bërë një nisje të mirë të sezonit me dy fitore dhe një humbje. Përtej tre pikëve fitorja vlen shumë në aspektin moral në të dyja kampet. Skënderbeu vjen në këtë sfidë me disa mungesa ndërkohë që Tirana paraqitet e plotë.
Të shtunën do të zhvillohen edhe dy takimet e tjera. Flamurtari udhëton në transfertën e Luftëtarit. Një sfidë delikate për vlonjatët pasi nuk kanë marrë ende pikën e parë në këtë edicion. E njëjta situatë paraqitet edhe në kampin gjirokastrit që do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë.
Teuta do të presë Vllazninë në “Niko Dovana”. Një sfidë me interes shumë të lartë pasi objektivat sezone në të dyja kampet janë maksimale. Teuta është disi më e avantazhuar, por shkodranët nuk duhen nënvlerësuar pasi në tre ndeshjet e para kanë treguar një futboll sulmues.
Kampionët në fuqi të Shqipërisë, Partizani do të luajë të dielën në transfertën e Laçit. Një sfidë delikate për të kuqte që do të udhëtojnë në një fushë të vështirë ndërkohë që në kampin e kryeqytetasve nuk ka mungesa të rëndësishme me përjashtim të Solomon i cili u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit.
Kukësi i teknikut Shpëtim Duro do të luajë ndaj Bylis. Tre pikët janë detyrim për verilindorët që synojnë vendin e parë në renditje. Kukësi është favorit absolut, por Bylis vjen në këtë takim në formën më të mirë pasi mposhti në ndeshjen e fundit skuadrën e Skënderbeut me rezultatin 3-0./ABC News Albania 24/7