Tirana pësoi humbje në rikthimin e saj në Superligë

schedule12:59 - 19 Gusht, 2018

schedule 12:59 - 19 Gusht, 2018

Tirana nuk e nisi aspak mirë sezonin e ri të Superligës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ze Maria pësoi humbje në fushën e saj, nga Kamza.

Nisi me humbje rikthimi i Tiranës në Kategorinë Superiore. Skuadra kryeqytetase u mund nga Kamza, edhe pse luante në fushën e saj në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të besuarit e trajnerit Ze Maria nuk është se luajtën keq, madje patën epërsi në pjesën më të madhe të kohës, duke krijuar disa raste për shënim, por nuk arritën të kalonin në avantazh. Më i miri i ndeshjes së javës së parë të Superligës ishte portieri mik, Avdyli, që bëri disa pritje shpëtimtare. Kamza përfitoi nga gabimet e vendasve dhe arriti të shënonte golin e fitores në minutën e fundit të takimit, me autor sulmuesin Sebino Plaku.

Kapiteni i kamzalinjve siguroi tri pikë shumë të rëndësishme për skuadrën e trajnerit Bledar Devolli. Tifozët bardheblu mbetën shumë të zhgënjyer nga humbja, ndërsa prisnin diçka tjetër nga ekipi i tyre, që sapo u rikthye në Superligë. Vitin e kaluar, Tirana luajti në Kategorinë e Parë dhe doli kampione, por nuk bëri shumë përforcime gjatë verës, diçka që me siguri ndikon për keq. Gjithsesi, është vetëm fillimi dhe trajneri Ze Maria ka premtuar që pas disa javësh, tifozët do të shikojnë Tiranën e vërtetë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!