Tirana përzgjidhet nga Forumi Botëror i Urbanistikës

schedule15:14 - 9 Shkurt, 2018

schedule 15:14 - 9 Shkurt, 2018

Forumi Botëror i Urbanistikës përzgjedh Tiranën si një ndër  3 qytetet që ka pësuar më shumë ndryshime.  Në Kuala Lumpur të Malajzisë Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se kryeqyteti shqiptar tashmë është më i jetueshëm.

Tirana është përzgjedhur nga Forumi Botëror i Urbanistikës si një qytetet qe ka pësuar më shumë ndryshime vitin e fundit, bashkë me Neëcastle-in e Australisë dhe Panama City-n e Panamasë.

Kryetari i bashkise Erion Veliaj prezantoi arritjet dhe zhvillimet në Kuala Lumpur të Malajzisë.

“Jam shumë krenar për këtë. Gjithashtu, jam i ndërgjegjshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, por sot ishte një mundësi për të treguar se me pak vullnet, me dëshirë dhe me një bashkëpunim nga i gjithë komuniteti, duke filluar nga fëmijët deri te pensionistët, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona. Shumë gjëra që shumë prej kolegëve, kryetarë bashkie, dëgjuan nga Tirana, ndoshta në kushte normale ose me planet rutinë nuk do të bëheshin për shumë vite. Ama, kur e gjithë kjo energji bëhet bashkë, e qeverisë qendrore, e qeverisë lokale, e të gjithë aktorëve në komunitet, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”.

Bashkë me projektet e perfunduara kryebashkiaku Veliaj foli dhe për ato që do të vijojnë.

“Mezi pres që muajin tjetër në Tiranë të vijë flota me 4 mijë biçikleta të reja, të cilat qytetarët do t’i përdorin në rrjetin minimal kushtuar korsive të biçikletave. Me shkollat e reja që mbarojmë këtë vit, si “Servete Maçi” dhe “Kosova”, por edhe me paketën tonë të shkollave të reja, do të kemi zgjidhur përpara zgjedhjeve të vitit 2019 çështjen e arsimit me dy turne në Tiranë. Jam shumë entuziast për faktin se Tirana është bërë gjithmonë e më shumë epiqendër e vëmendjes së atyre që merren me urbanistikë e arkitekturë. Ndonjëherë ne u kushtojmë vëmendje cic-miceve tona të vogla, por vetëm kur jemi jashtë dhe kur shikojmë se si vlerësohet kjo punë, kuptojmë që kemi bërë shumë. Ama, më e mira është përpara. Këtë vit me paketën e investimeve, do të bëjmë ndërhyrje edhe në 50 blloqe të tjera banimi.”

Axhenda e Re Urbane, e cila ishte kryetema e Forumit Botëror të Urbanistikës, u miratua në Tetor 2016 në Konferencën e OKB-së  në Ekuador.

Kjo axhendë shihet si një mjet për përmbushjen e qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe ka në thelb krijimin e qyteteve që shërbejnë si makineri prosperiteti dhe qendra të mirëqenies sociale, në fokus është edhe mbrojtja e mjedisit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!