Një rezultat edhe pritej, por jo të dy. Që Dinamo mund ta fitonte derbin me Tiranën kjo ishte normale, dhe kështu ndodhi, ndonëse habia e madhe u shkaktua nga triumfi I Skënderbeut në fushën e Bylisit.
Derbi i kryeqytetit, si shumë të tjerë para tij, ka vetëm emrin si të tillë pasi vazhdon të luhet jashtë Tiranës.
Në “Elbasan Arenë”, blutë e trajnerit Ilir Daja e patën të vështirë për një rreth një orë lojë, por më pas bënë çfarë deshën.
E mbiquajtura “nëndetësja” shënoi e para me anë të Ualid Zharmunit në 11’, por Tirana barazoi shpejt falë autogolit të Ermal Metës në 14’.
Pas pushimit, blutë siguruan tripikëshin ndërsa realizuan Bregu në 62’, Loran në 69’ dhe Itodo në 72’.
Bardheblutë rrezikojnë seriozisht vendin në elitë, ndërsa tre skuadra janë shkëputur në krye, me Partizanin pas tyre.
Skënderbeu ndërkaq fitoi 3-0 në Ballsh ndaj Bylisit.
Korçarët kishin shënuar vetëm dy gola në katër ndeshjet e fundit në kampionat dhe 5 herë në 8 sfidat e fundit të elitës.
Gjithsesi, kjo nuk I pengoi të dominonin në stadiumin e Ballshit dhe të realizonin shpejt dy gola.
Saleh Nasr, I ardhur nga Teuta goditi në minutat 23 e 32, ndërsa Dos Santos vulosi shifrat në minutën e 80-të.
Edhe pse skuadra e trajnerit Ernest Gjoka mbetet e fundit me 26 pikë, ajo tani ka shumë më tepër shpresë për mbijetesë.
Po 26 pikë ka edhe Tirana, ndërsa Bylis e Teuta janë pak më lart me nga 28, e madje as Laçi nuk është i sigurt duke qenë në kuotën e 31 pikëve./abcnews.al