Tirana nuk shpenzon për fazën përgatitore

schedule17:09 - 21 Korrik, 2018

schedule 17:09 - 21 Korrik, 2018

Tirana nuk ka ndërmend të shpenzojë shumë për t’u përgatitur për sezonin e ri. Gjendja financiare e klubit nuk është nga më të mirat, ndaj edhe nuk do të ketë udhëtim jashtë vendit.

Ambiciet janë të mëdha, veçse realiteti është tjetër gjë. Tirana vendosi të mos shpenzonte për fazën përgatitore, të cilën nuk do ta zhvillojë në asnjë vend tjetër përveçse në Shqipëri.

Ndryshe nga Skënderbeu i sezoneve të kaluar, apo nga Kukësi e Partizani këtë edicion, bardheblutë vendosën të ecnin me sistemin e kursimit. Detyrimet ndaj palëve të tjera janë të mëdha, përfshi Federatën Shqiptare të Futbollit dhe lojtarin Gjergji Muzaka.

Faza përgatitore do të zhvillohet në periferi të Tiranës, nën drejtimin e trajnerit Ze Maria dhe ajo nuk do të ketë ndeshje miqësore me skuadra ndërkombëtare, të cilat rrisin edhe nivelin e ekipit. Një arsye tjetër për këtë zgjedhje mund të jetë edhe fakti se Tirana nuk luan këtë vit në kupat e Europës, ndaj rivaliteti i vetëm do të jetë brenda vendit.

Lajm i mirë është pajisja me vizë e dy lojtarëve afrikanë, Vinsent Atinga dhe Uinful Kobinah, që të dy nga Gana. Po ashtu, tiranasit presin kthimin në radhët e tyre të dy lojtarëve të huazuar tek Laçi, për Ligën e Europës, Greca e Hoxhallari.

Laçi, ndërkaq, shpreson që, të paktën, Hoxhallari, të jetë në radhët e tyre edhe për ndeshjet e turit të dytë. Tirana u kthye në Superligë pas një sezoni në Kategorinë e Parë, ku doli kampion pas finales së fituar 2-0 ndaj Kastriotit të Krujës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!