Tirana në “në gjendje lufte”: Biznese të mbyllura e rrugë bosh, policia e ushtria kontrolle

schedule23:46 - 11 Mars, 2020

schedule 23:46 - 11 Mars, 2020

Sfidë e vështirë për bizneset në kryeqytet për të mbylluar aktivitetin e tyre në orët e mbrëmjes. Pas urdhërit të qeverisë për mbylljen e bareve e restoranteve pas orës 18:00 një pjesë e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit vijuan të qëndronin të hapura duke mos e marrë seriozisht. Në to ka ende shumë klientë që  vazhdojnë t’i frekuentojnë ato pavarësisht situatës së koronavirusit.

Por me kalimin e orëve bizneset duket se u ndërgjegjësuan për të mos vijuar me aktivitetin e tyre në respekt të masave të marra për kufizimin e përhapjes së koronavirusit.

Nga një vëzhgim i bërë nga kamerat e ABC News, në rrugët e kryeqytetit vërehen edhe forca të shumta policie dhe ushtrie të cilat kryejnë kontrolle për ata persona që thyejnë urdhërin për vetëkarantinimit pas kthimit nga vendet e prekura nga covid 19.

Në rrugët e kryeqytetit orëve të mbrëmjes u pa edhe vetë kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu teksa inspektonte grupet e kontrollit. Por teksa këshillonte vartësit kryepolici dhe oficerët e tjerë të ushtrisë u shfaqën pa asnjë masë mbrojtëse, maska apo edhe respektimi të distancës duke thyer të parët urdhërat e qeverisë.

Në fakt situata në kryeqytet shfaqet si në gjendje lufte. Edhe lëvizja e këmbësorëve e automjeteve në rrugë është reduktuar mjaft.

Nëpër Tiranë automjetet e policisë bashkiake informojnë përmes qendrave të zërit në çdo lagje. Megafoni apelon qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

Nga ana tjetër, masave shtesë të qeverisë në mbrojtje nga COVID 19, i është bashkuar edhe bashkia e kryeqytetit. Përmes një njoftimi për shtyp, bashkia paralajmëroi pezullimin e shërbimit të transportit publik për një afat të papërcaktuar.Bëhet fjalë, sipas bashkisë, për linjat brenda qytetit, linjat që lidhin Bashkinë e  Tiranës me njësitë administrative  si dhe transporti ndërqytetas, linjat që lidhin Bashkinë e Tiranës me Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës. /abcnews.al