“Tirana Multifunctional Center”, Rama: Shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes dhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore

schedule12:10 - 1 Tetor, 2022

schedule 12:10 - 1 Tetor, 2022

Po zhvillohet sot publikisht Konkursi Ndërkombëtar për projektin fitues mes studiove prestigjioze për qendrën shumëfunksionale në Tiranë, ku një juri e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti, Freek Persyn, do të vlerësojë propozimet mbi projektin Tirana Multifunctional Center, të cilat do të prezantohen nga studiot ndërkombëtare prestigjoze OODA, Cebra, FUKSAS, JDG+SHIGERU, UN STUDIO.

Kryeministri Edi Rama deklaroi që ndihet krenar për Tiranën që ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore.

“Së pari, dua të falenderoj anëtarët e jurisë, të cilët e kanë pranuar ftesën për t’iu bashkuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme për historinë e zhvillimit të kryeqytetit. Dua të falenderoj me shumë respekt të gjitha studiot. Janë të pesta studio me vepra mbresëlënëse, me reputacion të rëndësishëm që nga mjeshtri i madh i arkitekturës bashkëkohore italianë, Massimiliano Fuksas, tek një prej yjeve të arkitekturës japoneze, Shigeru Ban, tek UNStudio, Cebra, Oda, studio, të cilat vijnë sot me një bagazh eksperience dhe sfidash të panumërta.
Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli”, tha Rama./Abcnews.al/