Tirana do të kërkojë fitoren në derbi, por pa i vendosur lojtarët në presion. Trajneri Ardian Mema flet për duelin e madh, ndërsa ngacmohet për festën e mundshme të Partizanit.
Është ende koha e fjalëve, por edhe ato duhen zgjedhur mirë. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, e dha konferencën e tij të parë e të fundit para derbit të radhës, padyshim i shqetësuar për renditjen e ekipit, dhe për përgjegjësinë e madhe të sfidës.
Gjithsesi, si një bardheblu i vjetër, Mema nuk ngurroi të fliste me sigurinë më të madhe.
Mema: “Do të luajmë për 3 pikë se na nevojiten pikë. Ana psikologjike e mirë, Tirana ka kohë që s’fiton ndaj Partizanit”
Pavarësisht se kërkon fitoren, Mema nuk dëshiron t’i vendosë lojtarët nën presion.
Mema: “Ne duhet të luajmë mire dhe të jemi në ekuilibër dhe ajo do na japë rezultate pozitive. Po të rregullohet kjo skuadër, mendoj që do kishim pikët e nevojshme që kemi humbur gjatë gjithë vitit”.
Duket se këtë herë fati është me Tiranën, pasi Partizani ka mjaft mungesa të rëndësishme, si Asanin, Mensahun apo Telushin.
Mema: “Ka elementë të mirë, pavarësisht mungesave. Kjo është favorit që partizanit i mungojnë lojtarët e mirë dhe Tirana duhet të shfrytëzojnë këtë moment”.
Derbi do të jetë vërtet i veçantë, pasi me një fitore Partizani mund të festojë titullin e parë pas 26 vjetësh.
Mema: “Unë mendoj që ne duhet t’i bëjmë hyzmetin vetes sonë, sene kemi problemet tona që janë evidente”. /ABC News Albania 24/7