Tirana me aksionerë të rinj

schedule19:14 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 19:14 - 27 Dhjetor, 2018

Aksionerë të fuqishëm pritet të afrohen shpejt tek Tirana. Burime të informuara mirë, bëjnë me dijë për ABC News-in se mes tyre mund të jetë edhe presidenti i Federatës, Armand Duka.

Disa herë i ka dhënë trofetë kësaj skuadre. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë një nga njerëzit që ka ndarë emocionet me triumfet e Tiranës, por besohet se dëshiron të bëjë më shumë. Burime pranë tij bëjnë me dijë se numri 1 i Federatës ka plane të jetë pjesë e aksionerëve të rinj të klubit kryeqytetas.

Nuk ka konfirmim, as nga vetë Duka, dhe as nga Tirana, por burimet sqarojnë se mund të ndiqet skenari i ish-donatorit tiranas, Lutfi Nuri, që caktoi donator të vëllanë, në momentin kur u zgjodh zv. president i federatës. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, deklaroi pak ditë më parë planet e tij për të afruar aksionerë të tjerë tek bardheblutë.

Mund t’ju them janë mbi 4-5 persona, por që janë edhe kompani shumë të rëndësishme të biznesit. Unë sot jam me 66 për qind të aksioneve. Unë jam i gatshëm t’i jap aksionet, por unë jam për bashkpunim 50 me 50”, tha presidenti i Tiranës.

Burime të informuara pranë klubit pohojnë se thelbi i lëvizjes së re ka të bëjë me stadiumin “Selman Stërmasi”. Impianti pritet të ndërtohet nga e para, me parametra modernë, por edhe me një pjesë të rëndësishme të lidhur me biznesin. Mund të ndiqet projekti i stadiumit të ri kombëtar, pra që të ketë edhe një kullë, përveç ambienteve tregtare nëpër tribuna.

Që në 2015, kur Tirana bëri rikonstruktim të “Selman Stërmasit”, u fol përfshirja e Dukës, kundrejt përfitimit në biznes. Nuk dihet sesa aksionerë të rinj do të vijnë, por këta pritet të shtohen pasi edhe bashkia e kryeqytetit ka ndërmend që të shesë 34 për qind të aksioneve të saj, për ta kthyer klubin tërësisht në privat./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!