Tirana fiton ndaj Laçit dhe i afrohet mbijetesës

schedule21:15 - 26 Maj, 2019

schedule21:15 - 26 Maj, 2019

Tirana iu afrua shumë mbijetesës në Superligë pas suksesit të arritur në Laç. Kryeqytetasit ia dolën me shifrat 3-1 duke lënë prapa Kastriotin që rrezikon seriozisht

Fitoi pikërisht atëherë kur duhet, dhe thuajse ia hodhi.

Nuk ka ende mbijetesë të sigurt për Tiranën, por fitorja në Laç në kushtet e sotme, duke si një fitore e Kupës së Botës.

Kur mëson edhe shifrat 3-1, në një fushë ku kishte 4 vjet që nuk ngrinte kokë, atëherë kupton se skuadra kryeqytetase ka realizuar diçka të madhe.

Nëse ishte plotësisht meritë e vetja, apo ndoshta edhe Laçi mund të mos ketë dhënë maksimumin, kjo ndoshta nuk do të mësohet kurrë, por këto pyetje janë bërë në çdo fund sezoni në Shqipëri, pra bardheblutë kanë të drejtë të kënaqen e të krenohen.

Ishte ndeshja e penalltive të humbura, nga një për secilën skuadër, dhe po ashtu sfida kur u kujtuan konfliktet e kohëve të fundit mes dy klubeve, deri edhe mes dy presidentëve.

Si me magji, për fat të mirë, gjithçka në Kurbin ishte e qetë, ndërsa tiranasit u duken në fushë shumë më tepër luftarakë sesa ndaj Partizanit apo Kastriotit.
në krahun tjetër, laçianët u paraqitën më dobët, ndërsa humbja ia hoqi përfundimisht shpresat për Europën.

Fitorja e Tiranës u arrit me golat e shënuar nga Greca, Kobina dhe Edon Hasani, ndërsa për vendasit shkurtoi diferencën Shtubina.

Ky sukses bëri që Kastrioti të mbetet dy pikë prapa, dhe të shpresojë që të fitojë ndaj Kukësit dhe që Flamurtari të mundë Tiranën në kryeqytet.

Rezultatet e javës së 35-të bënë që të intrigohet edhe gara për Ligën e Europës.

Kukësi mban vendin e dytë me 56 pikë, por Flamurtari e Teuta janë vetëm 2 pikë më poshtë.

Nëse të tre ekipet dalin me pikë të barabarta, i dyti del Flamurtari për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkte, ndërsa Kukësi rrezikon seriozisht.

Shpresa matematikore për Europën ka edhe Skënderbeu, pasi i ka të sigurta tri pikët e fundit ndaj Kamzës.

Java e fundit e Superligës luhet të enjten./ABC News Albania 24/7