Tirana fiton edhe pa Seferin, Xhixha dhe Hoti mposhtin Egnatian

schedule21:44 - 14 Shkurt, 2022

schedule 21:44 - 14 Shkurt, 2022

Tirana ka marrë një tjetër fitore kundër Egnatias në “Air Albania”. Një sfidë e cila përfundoi në shifrat 2-0 për bardheblutë e Orges Shehit, të cilët kështu vazhdojnë të mbajnë të “blinduar” vendin e parë në renditje.

Redon Xhixha në minutën e 13-të i dha avantazhin skuadrës kryeqytetase. Sulmuesi laçian kombinon bukur me Devid dhe Limajn, dhe mposht portierin Puja me një goditje të saktë. Shiko Golin

Egnatia do të reagonte vetëm në minutën e 31 me Ademin i cili ishte i pa fat, teksa topi i goditur nga lojtari përfundoi sipër traut të portës, ndërsa përsëri në minutën e 37 u shfaqën rrezikshëm përballë portës së Bekajt por ishin të pasaktë në finalizim.

Në fundin e pjesës së parë një karton i kuq për Demir Imerin, i “këput” rrogozhinasit, ku lojtari i ndërhyri nga mbrapa Behiratches, dhe kryesori Cjapi ndryshon mendim pasi sheh pamjet në VAR, anulon kartonin e verdhë dhe i nxjerr të kuqin lojtarit.

Tirana në avantazh edhe në numrin e lojtarëve në fushë, teksa mundohet të përfitojë dhe të shënojë gola të tjerë, por përballë gjeti një Egnatia të mirë vendosur në mbrojtje.

VAR do të bëhej protagonist përsëri në minutën e 55, ku anuloi golin e shënuar nga Xhixha, duke ia ndaluar festën sulmuesit laçian, ndërsa ishte në pozicion jashtë loje.

Për të vulosur një fitore të vuajtur për bardheblutë mendoi Engjëll Hoti, i cili menjëherë pasi u fut në fushën e lojës gjeti dhe golin. Shiko Golin

2-0 për Tiranën që tashmë kryeson e qetë tabelën e klasifikimit me 46 pikë, ndërsa ndodhet 6 pikë nga Laçi i vendit të dytë dhe 9 pikë nga Kukësi.

Nga krahu tjetër Egnatia vazhdon të notojë në “vorbullën” e mbijetesës, ndërsa mori dhe humbjen e dytë rresht në kampionat. /f.a/abcnews.al