Tirana ia doli të merrte tre pikët në duelin e vështirë ndaj Flamurtarit pasi fitoi minimalisht 1-0. Edon Hasani vendosi fatin e takimit në fundin e ndeshjes falë një supergoli.
Ringjallet Tirana. Bardheblutë fituan duelin ndaj Flamurtarit me rezultatin minimal 1-0 që mban firmën e Hasanit. Ndeshja e zhvilluar në “Selman Stërmasi” dhuroi spektakël nga të dyja skuadrat që provuan me të gjitha mënyrat për ta fituar ndeshjen, por në fund buzëqeshi Tirana. Një fitore që vlen shumë për bardheblutë pasi tashmë mbajnë të njëjtën distancë nga Kamza që fitoi përballë Skënderbeut.
Nga ana tjetër Flamurtari nuk po tregon vazhdimësi pasi ka treguar mjaft luhatje nga ndeshja në ndeshje. Në të 14-n minutë, Tirana shkon pranë golit me Sentamu, por Koliçi bën mrekullinë. Reagon Flamurtari me Kale, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Në fundin e pjesës së parë, Tirana humbet mundësinë për të kaluar në avantazh. Sentamu nuk realizon dot me portën e boshatisur duke shpërdoruar një shans të artë.
Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Tirana e nis në sulm edhe pjesën e dytë. Është sërish Sentamu protagonist pasi goditja e tij ndalet në shtyllë. Rast i distkutueshëm në të 54-n minutë pasi Alla prek topin me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën. Goli i fitores për bardheblutë erdhi në minutën e 88. Edon Hasani realizoi një supergol duke mos i dhënë asnjë shans portierit Koliçi. Kryeqytetasit seleksionuan një fitore dramatike dhe me shumë peshë ndërkohë që Flamurtari nuk bind./abcnews.al