Tirana feston 105 vjetorin e ngritjes së flamurit

schedule14:02 - 26 Nëntor, 2017

schedule 14:02 - 26 Nëntor, 2017

Si sot 105 vjet më parë, në Tiranë u ngrit flamuri kombëtar. Ngjarja historike u përkujtua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili apeloi që ngjarja të shërbejë që kryeqytetit të vijojë të jetë në pararoje edhe sot.

Tirana përkujtoi 105 vjetorin e ngritjes së flamurit. Në sheshin përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku 26 nëntorin e vitit 1912 patriotët tiranas ngritën flamurin kombëtar, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, së bashku me zyrtarë të tjerë të shtetit, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë kujtuan këtë moment historik. Pasi vendosën kurora me lule në monumentin historik, kryebashkiaku apeloi se kjo ditë duhet shërbejë për të kuptuar se Tirana duhet të vijojë të jetë e para.

“Gëzuar festën e pavarësisë së Tiranës në këtë ditë të bukur. Tirana gjithmonë ka qenë avangard. Me sa duket, kjo qenka shkruar në histori. Tirana ka shpallur pavarësinë dy ditë përpara pavarësisë së Shqipërisë, edhe për faktin se ishin zonat ende të pa pushtuara dhe të parrethuara nga armiqtë, ndërkohë që armiqtë po i afroheshin Krujës, e pastaj Durrësit, më pas Vlorës. Unë besoj se sot thirrja është që të vazhdojë të jetë në avantgardë, edhe për pavarësi të tjera, për pavarësinë nga varfëria, nga injoranca dhe besoj që Tirana do të vijojë të jetë kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i gjithë shqiptarëve. Më vjen mirë që kauza shqiptare sot është me fortë se kurrë dhe të gjitha burojnë nga energjia e Tiranës. Nëse kemi një kryeqytet që vazhdon me punë, një kryeqytet që vazhdon me entuziazëm, që vazhdon me optimizëm, kjo reflektohet kudo”.

Ngjarjen historike, kryetari i Bashkisë së Tiranës njëherësh edhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste e përdori në ndihmë të argumentit edhe gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në “Samitin e Studentëve 2k18” organizuar nga Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar.

“Sot është 26 nëntori dhe është dita e Pavarësisë. Nuk po them se sot ne do caktojmë fatet e kombit, se sot kombi falë Zotit nuk është nën rrezikun e pushtimit, as na duhet të shpallim një pavarësi për mbijetesën tonë si komb. Ne duhet të kemi pavarësi nga zhuli, 105 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ne bëjmë aksion kombëtar për të pastruar vendin. Ju inkurajoj të gjithëve të vini flamurë për festën, por nuk mjafton ky turbo-patriotizmi vetëm me flamurë. Ka njerëz që mendojnë se duke shtyrë tjetrin, ecin më lart vetë. Ajo që FRESH ka dëshmuar është në fakt që ne kur punojmë bashkë dhe ngremë lart njëri-tjetrin, ashtu fitojnë. Ndaj fitoi dhe PS, dhe prandaj do të vazhdojë të fitojë, sepse funksionon mbi logjikën që sidomos tani që jemi në pushtet, ne duhet të hapemi akoma më shumë. Logjika tipike në Shqipëri ka qenë që kur jemi në opozitë kemi nevojë për miletin, kështu që hajde ti bëjmë një hapje partisë. Ndërkohë që ajo që kërkon mençuri dhe pjekuri është që: Kur je në pushtet dhe kur i ke të gjitha, pikërisht atëherë që të vazhdosh të ngelesh modest, pikërisht atëherë ke më nevojë më shumë se kurrë që të hapesh”.

Në “Samitin e Studentëve 2k18”, të rinjtë gjatë tre ditëve të mbajtjes së tij, diskutojnë për problematikat aktuale në vend si integrimi, sfidat në arsimin, vështirësitë në punësim apo solidarizimi me aksionin “Të Pastrojmë Shqipërinë”./abcnews.al

 

https://youtu.be/D0J8NuXDrsE

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!