Skënder Gega, trajneri i Kukësit, doli përballë mediave ditën e sotme dhe foli për ndeshjen e nesërme kundër Tiranës. Fillimisht i rikthye te humbja me Kastriotin: “Pa dashur të kthehem mbrapa, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të bërë edhe një tjetër hap përpara.
I tillë është futbolli, kemi analizuar gabimet tona. Sigurisht pa i hequr meritat edhe kundërshtarit. Çdo gjë është në rregull tani, me përjashtim të Dragoshit të dëmtuar”. Gega, më pas foli në lidhje me përballjen me bardheblutë, ndërkohë që iu kërkua një qëndrim edhe për deklaratën e Nevil Dedes, i cili u shpreh se Tirana është favorite edhe sikur të luajë me 18-vjeçarët.
“Presim një paraqitje të mirë, kemi pretendimet tona dhe jemi në vendin e dytë tre pikë larg ekipit kryesues. Jemi më meritë aty. Kampionati është i gjatë dhe duhet t’i menaxhojmë të gjitha ndeshjet. Jemi të fokusuar te sfida me Tiranën, që është një ndeshje që do të jetë e luftuar. Jemi gati.
Secili ka mendime të ndryshme. Asnjëherë nuk kam komentuar intervistat e kolegëve dhe të analistëve. Është e drejta të mendojë ashtu. Ka mënyrën e tij për të menaxhuar dhe për t’i dhënë kurajo ekipit. Unë jam trajner i Kukësit dhe mënyra ime është ndryshe ndoshta. Do mundohemi të jemi të fokusuar. Lojtarët e dinë rëndësinë e ndeshjes. Secili ka mënyrën e vet si flet”.
Kukësi e ka humbur ndeshjen e parë me Tiranën, ndërkohë që Gega thekson se tani janë një ekip tjetër: “Jemi në situatë krejtësisht tjetër. Nuk ishim gati në fillim të kampionatit. Jemi një ekip i konfirmuar, jemi mirë fizikisht dhe ka harmoni. Ka bashkëpunim në fushë dhe ide të qarta. Është futboll dhe gjithçka ndodh. Jam optimist, pasi e kemi grupin dhe kualitetin. Synojmë në çdo ndeshje të marrim maksimumin”. /abcnews.al