Tirana nuk do të ketë tifozët e saj kryesorë në derbin e kësaj jave në Superligë. Grupimi “Tirona Fanatiks” njofton se do të bojkotojë dhe akuzon klubin bardheblu.
Ky konflikt qenka e pamundur që të shuhet. Tifozët ultras të Tiranës krijuan një tjetër betejë në luftën e tyre gati 2-vjeçare me presidentin Refik Halili, duke refuzuar të jenë në derbi. Tifo grupi “Tirona Fanatiks” doli me deklaratë në rrjetet sociale, ku njoftoi mungesën e pranisë në “Selman Stërmasi” të premten, sërish mbi bazën e konfliktit të vjetër.
“Nuk mund të jemi miq në shtëpinë tonë”, ishin fjalët në deklaratë, duke nënkuptuar marrëveshjen e presidentit të Tiranës, Refik Halili, për t’i dhënë me qira Partizanit, stadiumin “Selman Stërmasi” në ndeshjet shtëpiake. Derbi i fazës së parë ishte në fushën e Tiranës, ndaj edhe “fanatiksat” nuk e bojkotuan, por tani siç duket nuk duan ta shohin veten në minorancë, në atë që e quajnë shtëpinë e tyre.
Mungesa e ultrasve është një goditje jo e vogël për skuadrën që ka nevojë për mbështetje në një moment kritik të sezonit në Superligë, aq më shumë, që ndeshja luhet në fushën e Partizanit, dhe tifozët kundërshtarë do të jenë në epërsi dërrmuese./abcnews.al

