Tirana denoncon dhunën në ndeshjen ndaj Laçit

schedule18:48 - 31 Mars, 2019

schedule 18:48 - 31 Mars, 2019

Tirana denoncon në Polici dhunën që ndodhi në fund të ndeshjes së Superligës ndaj Laçit. Klubi kryeqytetas informon se ka hapur edhe çështje në FIFA ndaj arbitrit Olsi Sokoli, për ndeshjen e kaluar ndaj Kastriotit

Reagimi pritej më shpejt, por gjithsesi erdhi. Tirana denoncon në Polici dhunën që ndodhi në fundin e ndeshjes së Superligës ndaj Laçit në stadiumin “Selman Stërmasi”, gjë që e bën me dijë nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp.

Klubi bardheblu informon se ka vënë në dispozicion të Policisë së Tiranës pamjet filmike të ngjarjes, dhe kërkon zbardhjen e saj, si dhe pasojat ligjore për ata që i quan fajtorë.

Tirana shton se denoncimet publike nuk kanë dhënë rezultat deri tani në Shqipëri, ndaj duhet proceduar ligjërisht.

Në koridoret e “Selman Stërmasit”, presidenti i Laçit, Pashk Laska, dhe i biri u përplasën me sulmuesin e Tiranës, Majkëll Ngo, madje edhe duke e goditur.

Më pas, pati përleshje nga lojtarë të të dyja skuadrave.

Përveç, denoncimit në Polici të kësaj dhune, Tirana bën me dijë se ka shkuar në FIFA për atë që ndodhi në ndeshjen e Fushë Krujës ndaj Kastriotit.

Informacioni zyrtar është që klubi kryeqytetas ka hapur një çështje në FIFA kundër arbitrit Olsi Sokoli, në Sektorin e Luftës kundër Racizmit, ndërsa deklaron se nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Tirana premton se do të shkojë në UEFA e në FIFA për të dyja ndeshjet, ndërsa deklaron se në dy javët e fundit, skuadra është vjedhur, ndërsa edhe është goditur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!