Tirana, besim për akordin me Muzakën dhe Ze Marian

schedule17:10 - 23 Maj, 2018

schedule 17:10 - 23 Maj, 2018

Tirana ka afat deri ditën e sotme për t’u marrë vesh me Gjergji Muzakën për pagesën e detyrimeve të prapambetura. Nëse nuk arrihet akordi, kryeqytetasit rrezikojnë heqje të tri pikëve të tjera nga renditja e Kategorisë së Parë.

Besimi ekziston, por akordi duket i vështirë.

Tirana është optimiste për marrëveshje me Gjergji Muzakën, për borxhin prej 10.7 milionë lekësh, veçse afati i lënë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit përfundon sot, pra gjithçka duhet mbyllur shpejt.

Presidenti i kryeqytetasve, Refik Halili, deklaroi në linjë telefonike për Abc News se klubi i tij i ka dërguar dokumentat në Federatë dhe pret një zgjidhje, por burime në institucionin e presidentit Duka pohojnë se kjo gjë nuk ka ndodhur.

Nëse deri sot nuk dërgohet marrëveshja apo akti i pagesës, çështja “Muzaka” përfshihet sërish në Disiplinë, dhe Tirana rrezikon heqjen e tri pikëve të tjera në renditjen e Kategorisë së Parë.

Kjo gjë nuk do t’i prishte sërish punë ekipin që doli kampion në këtë kategori, dhe u ngjit në Superligë, por problemi nuk mbyllet me kaq.

Tirana do të ketë edhe një afat tjetër deri në fillim të qershorit, për të paguar, ose për t’u marrë vesh me Muzakën, ndryshe mund të vijë më e keqja, zbritja sërish në Kategorinë e Parë.

Kryeqytetasit ndërkaq duhet të zgjidhin edhe çështjen e trajnerit, ndonëse kjo nuk është kaq urgjente.

Presidenti Halili u shpreh për ABC News se gjithçka do të mbyllet këto dy ditë, pra do të merret vesh nëse Ze Maria do të vazhdojë apo jo.

Trajneri brazilian udhëhoqi ekipin në Kategorinë e Parë, por është i shtrenjtë, pasi besohet se bashkë me ndihmësit e tij paguhet me 15.000 euro në muaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!