Tirana vazhdon të marshojë drejt titullit kampion, trofe që po pritet me padurim nga tifozeria bardheblu. Skuadra po luan mirë, shënon pafund dhe kryeson me një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë.
Bardheblutë kanë vite që nuk luajnë në Champions League, kompeticion ku skuadra e Egbo dëshiron të bëjë sa më mirë. Përforcimet nuk do të mungojnë, por drejtuesit nuk duan të nxitohen. Nga Maqedonia e Veriut ka dalë një lajm që intrigon tifozët.
Sportmedia.mk raporton se kryeqytetasit kanë arritur akordin me dy lojtarë të rëndësishëm të Shkëndijës së Tetovës: Gledi Micin dhe Besart Ibraimin, dhe zyrtarizimi i tyre do të ndodhë këtë javë. Mici është një dëshirë e vjetër e Tiranës, që e tentoi edhe sezonin e kaluar.
29-vjeçari ka një eksperiencë të madhe, në Superiore dhe në kompeticionet evropiane. Ka pëlqim për mbrojtësin e majtë, por pritet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Në atë pozicion luan edhe Marsel Ismajlgeci, i cili po rritet nga dita në ditë dhe po bën paraqitje të mira.
Drejtuesit e vlerësojnë shumë 20-vjeçarin e linjës së majtë, njësoj si trajneri Egbo. Nga ana tjetër Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë i historisë së futbollit maqedonas. “Është arritur marrëveshja për një kontratë 2-vjeçare me vlerë rreth 250.000-300.000 euro“, thekson Sportmedia.mk në lidhje me goleadorin 33-vjeçarin.
ABC News mëson se diçka e tillë nuk është aspak e vërtetë. Emri i bomberit nga Kërçova është lidhur në të kaluarën me bardheblutë, por drejtuesit nuk e kanë në plane për sezonin e ardhshëm.
Kjo mund të jetë një lojë e menaxherëve, njësoj siç ndodhi me Arlind Ajetin, të cilin media e përmendi por askush nga klubi apo vetë lojtari nuk e konfirmoi diçka të tillë. /abcnews.al