“Njësoj si atentati ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi”, Hajdarmataj për vrasjen e Aleksandër Sadikajt: Tipike mafioze

schedule19:52 - 16 Qershor, 2022

schedule 19:52 - 16 Qershor, 2022

Arben Hajdarmatj ish-Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Radari Informativ” në Abc, me gazetaren Juli Xhokaxhi bëri një panoramë të arsyeve të cilat kanë çuar në shtimin e ngjarjeve kriminale.

Sipas tij, gjatë sezonit veror dhe në prag të festave të fundvitit ka shtim të aktivitetit kriminal për shkak të lëvizjes dhe fluksit të turistëve. Hajdarmataj mendon se konfliktet e mbartura në vendet e BE-së, aktivizohen në Shqipëri.

Hajdarmataj: Kemi shtim, si të vrasjeve dhe plagosjeve, shtim të aksidenteve, shtim edhe të trafikut të lëndëve narkotike. Unë mendoj se gjithmonë sezonet verore janë të favorshme për aktivitete kriminale, sepse lëvizja e qytetarëve me qëllime turistike, në një farë mase aktivizon të gjitha konfliktet që mund të jenë në vendet e BE, dhe vijnë në Shqipëri. Problemi është që vrasjet ndodhin në gjithë botën, por ne mendojmë që transferimi i aktivitetit kriminal bëhet gjatë sezonit veror ose në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri dhe gjatë këtyre dy periudhave mund të kemi shtim të. Unë nuk justifikoj policinë e shtetit  sidomos për parandalimin e aktiviteteve kriminale.

Vrasja në Shkodër

Lulash Qepuri 76 vjeç mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Stom Golem teksa 76-vjeçari ndodhej i ulur në  verandën e lokalit të tij fare pranë rrugës, kur një person i maskuar në këmbë qëlloi ndaj tij.

Hajdarmataj mendon se vrasja mund të ketë pasur si shkak konfliktet e kaluara ose hasmëritë e vjetra.

Hajdarmataj: Nuk kemi ndonjë panoramë për vrasjen e Shkodrës. Prokuroria mbase ka pista hetimi, por ne si publik nuk i dimë. Këto vrasje kanë një prapavijë kriminale të shkuar. I ndjeri mund të ketë pasur një konflikt, mbase jo drejtpërdrejt që kishte lidhje me të, por me të afërmit e tij. Është një hakmarrje, një diçka e mbartur prej kohësh.

Vrasja e Aleksandër Sadikaj

Mesditën e 11 qershorit Tirana u trondit nga ekzekutimi i 27-vjçarit Aleksandër Sadikaj, në mënyrën më makabre duke i vendosur tritol në makinë.

Hajdarmataj u shpreh se vrasja e tij ishte një atentat tipik mafioz dhe i mirë-organizuar.

Hajdarmataj: Kjo është një vrasje tipike mafioze, e mirëorganizuar. Mendoj që viktima ka qenë e survejuar nga autorët në çdo kohë dhe është gjetur momenti. Autorët nuk kanë pyetur për dëmet anësore që mund të kishin shkaktuar. Mund të kishim pasur dhe aksidente po pasoja të tjera te qytetarët dhe kalimtarët. Vrasja e gjyqtarit në Vlorë Skerdilajd Konomi është tipike si kjo dhe ajo nuk është zbuluar deri më sot. Në vrasjet e tilla në përgjithësi, autorët pikën më të dobët e kanë momentin që montojnë eksplozivin. Pastaj janë komodë në realizimin e qëllimit të tyre kriminal.

Pse zgjedhin momentin kulminant, në rrugë të populluara?

Hajdarmataj: Në këto raste viktima ndiqet nga autorët. Në momentin që ka një trafik të dendur ata realizojnë shpërthimin e telekomanduar, me qëllim që policia mos ketë mundësi praktike që të arrijë shpejt në zonë ose të ketë mundësi t’i ngrejë postblloqe. Autori është shumë afër viktimës, prandaj zgjidhet momenti kur ka trafik të dendur./abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!