Tingulli muzikor nuk është thjesht pasion për Ermir Dizdarin është vetë fryma e tij e jetës. I lindur në Shijak, ku hodhi hapat e parë drejt artit, Dizdari është sot një nga dirigjentët dhe organizatorët më të njohur të muzikës shqiptare, me një karrierë që përfshin koncerte të rëndësishme dhe disa vite në drejtimin e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ndalet me emocion te rrënjët e këtij udhëtimi artistik, duke e përshkruar muzikën si “energjinë më pozitive që hyn në shpirtin e njeriut”.
Nga rastësia e një konkursi në Liceun Artistik, te përfaqësimi i Shqipërisë në festivale ndërkombëtare, historia e tij është dëshmi e fuqisë që ka arti për të ndryshuar jetën dhe për të krijuar jetë në tinguj.
“Muzika është gjëja më e veçantë për mua. Muzika është një gjë abstrakte, por që hyn nëpërmjet ajrit në organizmin e njeriut dhe ndoshta është i vetmi mjet që të jep energji pozitive. Është një energji pozitive që nuk ta jep asgjë tjetër. Është shpirt. Sidomos muzika klasike në gjykimin tim. Përveç aktiviteteve muzikore si solist. Në aktivitetet që zhvillonte sh kolla, ne kishim edhe grupin e teatrit. Rrugëtimi im në lice ka qenë po ashtu në rastësi.
Ishte një mëngjes që po bëhesha gati të ikja në shkollë, ndërkohë që po jepej njoftimi për një konkurs artistik. Liceu Artistik kishte të treja degët, muzikën, teatrin, kishte dhe artin figurativ. Lajmi jepej përditë dhe unë një ditë i them nënës që dua të shkoj në lice. Në ato vite iu dha shumë prioritet analfabetizmit dhe një pjesë e madhe e bashkëmoshatarëve të mi, shkuan në shkollën pedagogjike, edhe unë atje u regjistrova. Një ditë as vetë nuk e mora vesh se si më lejuan, hipa autobusin, shkova në Tiranë dhe në gjeta Liceun Artistik.
Ishte shkolla dhe konkursi. Recitova një prozë dhe dola në oborr për të marrë përgjigje, atje dëgjova për herë të parë veglat muzikore. Shkoj nga ana tjetër e oborri, pyes disa fëmijë, edhe atje po bëhej një konkurs për muzikë, konkurrova. Shkova në fund të gushtit, te Komuniteti Ekzekutiv për të shkuar në shkollën pedagogjike të Shkodrës, kur hapet dera dhe na lajmëroi që kisha fituar në Liceun Artistik”, rrëfeu Ermir Dizdari./abcnews.al

