Mbyllja e Tik Tok për Edi Ramën do të thotë mbrojtje dhe siguri për femijët.
Kryeministri tha se kjo platformë do të rihapet vetëm nëse kompania vendos filtra për mbrojtjen e të rinjve.
“Më vjen shumë mirë që sot Tik Tok është mbyllur dhe fëmijëve iu kemi siguruar një mbrojtje nga një influencë shumë negative, që iu qëndronte në kokë, 24 orë në 24.Unë besoj shumë se mbyllja e TikTok nuk ka zgjidhur gjithë problematikën, por ka qenë hapi i duhur për mbrojtje të adoleshentëve. “
Në një kohë që Sali Berisha kërkon shkarkim e VPN nga të rinjtë, Rama bëri thirrje për mospërdorimin e tij pasi të dhënat personale rrezikohen nga hakerat.
“Mësuesit t’iu thonë prindërve dhe nxënësve që përpjekja për të instaluar TikTok me VPN të lira, janë shumë të rrezikshme, sepse e bëjnë telefonin e grabitshëm me të dhënat që ka brenda.”
Gjatë një bashkëbisedimi në shkollën Besnik Sykja në Tiranë, Rama foli edhe për investimet në arsim. Ai tha se deri në 2030, paga mesatare për mësuesit do të jetë 1250 euro.
“Vështirësia në punën e mësuesve nuk shkon duke u ulur, por duke u rritur. Nuk është një vështirësi fizike, por është një vështirësi pune psikologjike. Plani ynë është që në vitet e ardhshme, brenda kësaj dekade ne pagën mesatare të mësuesve do ta çojmë 1250 euro.”
/abcnews.al