Tifozët italianë sulmuan ashpër kombëtaren e tyre pas barazimit me Ukrainën. Katër herë kampionët e botës rrezikojnë eleminimin nga Liga e Kombeve, nëse nuk fitojnë të dielën në Poloni.
Fanelat janë tepër të famshme.
Në emër, Italia është katër herë kampione e botës, por në 10 ndeshjet e fundit ka arritur të fitojë vetëm një. Nuk ia doli as në miqësoren e luajtur në Gjenovë ndaj Ukrainës, për tronditjen e madhe të tifozëve.
Trajneri Roberto Mançini bëri të tjera eksperimente, ndërsa të kaltrit arritën të krijonin disa raste, por të shënonin vetëm një gol. Përballë ukrainasve të trajnerit Shevçenko, Italia pati në fushë disa lojtarë shumë të mirë si Donaruma, Bonuçi, Kielini, Verrati, Zhorzhinjo, Insinje apo Bernardeski, por jo një skuadër aq cilësore dhe aq të formuar sa të imponohej në fushë.
Ukraina barazoi me anë të Malinovskit, dhe u mbajt deri në fund, ndërsa tifozët shpërthyen në tallje dhe kritika në rrjetet sociale, me të përfunduar takimi.
“Itali-Ukraina 1-1, ish-trajneri Ventura: Atëherë nuk isha unë, ishin fanelat e verdha!”, komentonte njëri.
“Rrini të qetë, sot kishim mungesat e Pirlos, Kanavaros, Nestës Inzagit. Më vjen të qaj!”, ishin fjalët e një tjetri.
“Duke hequr Bernardeskin, më të mirin në fushë, Mançini shkatërroi çdo mundësi për të sulmuar. Gjashtë ndeshje si trajner, një fitore me Arabinë Saudite, sa keq!”, është ky koment i dëshpëruar.
Një tjetër tifoz: “Më duket se e kuptova se cili është misioni i Mançinit, të na bëjë që të na marrë malli për Venturën!”
Së fundi, një propozim: “Le t’i biem shkurt, të thërrasim përsëri Antonio Konten”.
Po Mançini çfarë tha pas zhgënjimit të fundit?
“Na ka ardhur në majë të hundës duke luajtur mirë, por duke mos fituar ndeshjet, – u shpreh ai, – ishte një miqësore, dhe shpresoj të nisim të fitojmë të dielën. Është e qartë që tifozët janë të shqetësuar, dhe ne duhet t’i durojmë kritikat dhe talljet. Gjithsesi, mendoj se e keqja është tek rezultati, jo tek loja”.
Italia luan të dielën në fushën e Polonisë për Ligën e Kombeve, ndërsa rrezikon eleminimin pas humbjes në Portugali dhe barazimit në fushën e saj me polakët./abcnews.al