T’i japësh jetë drurit, njihuni me ‘Stradivarin’ e violinave në Shqipëri

schedule13:02 - 1 Korrik, 2020

schedule 13:02 - 1 Korrik, 2020

Erli Gurra është një ndër të paktët mjeshtra të prodhimit të violinave në Shqipëri. Erli ka vendosur të ecë në gjurmët e familjes së tij, e cila ia ka kushtuar gjithë jetën muzikës. I ati, Ramazan Gurra zotëron një nga laboratorët më unikalë të restaurimit të instrumentave muzikorë, dhe Erli zotëron gjithashtu një laborator kushtuar vetëm violinave.

“Unë jam rritur mes veglave muzikore dhe ka qenë akoma më e lehtë për mua që të kësh një laborator siç ka qenë laboratori i babait tim, këndin e preferuar të lojrave.”, thotë Erli.

Ai është specializuar në Universitetin e Antonio Stradivarit ne Kremona të Italisë, e cila është shkolla më e njohur e luterisë në botë. Edhe pse Erli e cilëson tregun shqiptar të instrumentave muzikorë si një treg të vështirë, ai ia ka dalë ta shtrijë aktivitetin e tij edhe në botë ku është gjithmonë I pranishëm nëpër panaire të ndryshme. Pandemia edhe atij si shumëkujt, ia ndaloi pak vrullin e punës.

Ai rrëfen se ishte akoma student kur prodhoi violinën e parë, teksa kujton me nostalgji dhe emocion, krenarinë që ka vërejtur në sytë e të atit kur i ka dhuruar krijesën e tij të parë artistike.

“Violina ime e parë ishte si trofeu im i parë. Atë instrument ia kam blerë shkollës dhe ia kam bërë dhuratë prindërve të mi, sepse nuk doja as ta humbja, por edhe doja që prindërit e mi ta kishin si një gjest simbolik falenderimi kundrejt gjithë përkushtimit të tyre.”, thekson ai.

Tradita e familjes Gurra duket se do vazhdojë gjatë. E pagëzuar me një emër sa muzikor aq edhe diellor, Sol, vajza e Erlit pa mbushur ende 2 vjec, duket se e do muzikën dhe ka reagime befasuese ndaj tingujve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!