Thuram qetëson “Zikaltërit”, “ylli” francez gati në kohë për transfertën e Madridit

schedule09:56 - 22 Shkurt, 2024

schedule 09:56 - 22 Shkurt, 2024

“Zikaltërit” e Inter fituan jo me pak vuajtje, sfidën e parë të fazës së 1/16-ve, të UEFA Champions League, ndaj “Los Colchoneros”, të Atletico Madrid, me djemtë e teknikut, Simone Inzaghi, që i nderoi një gol i sulmuesit austriak, Marko Arnautovic, me këtë të fundit, që mori më shumë minuta seç duhej në fushën e blertë e kjo, jo prej meritës së tij.

Pas një përplasje në fundin e pjesës së parë, “ylli” francez i Inter, Marcus Thuram pësoi një dëmtim muskulor, duke lënë menjëherë fushën e blertë e të lojës e duke shqetësuar jo pak teknikun Inzaghi, por edhe tifozët e pranishëm në “mitikun” e Milanos, “Giuseppe Meazza”, mirëpo situata nuk është edhe aq shqetësuese sa duke.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, Thuram ka vetëm një tërheqje të lehtë dhe është ndalur për të mos rrezikuar një dëmtim më të rëndë, me 26-vjeçarin, i cili pritet të rikthehet pas dy javësh në “tapetin” e gjelbërt, duke humbur kështu vetëm tre sfida në kampionat, atë ndaj Leçe, Atalanta e Genoa.

Sulmuesi francez pritet të rikthehet në stërvitje vetëm pasditen e 10 marsit, për të marrë disa minuta lojë, në transfertën e “Kuqebluve” të Bologna e për të qenë plotësisht gati për “aktin e dytë”, ndaj spanjollëve të Atletico Madrid, me sfidën e planifikuar për t’u zhvilluar mbrëmjen e 13 marsit e deri atëherë, si pikë referimi në sulmin e “Zikaltërve” do të jetë Arnautovic.

Ndërkaq, kujtojmë se Thuram është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Inter këtë sezon, teksa deri më tani ka regjistruar plot 34 paraqitje me fanellën e nënkampionëve të Evropës, duke arritur të çojë plot 12 herë topin në rrjetë, si dhe të ndihmojë shokët e tij të skuadrës, me plot 11 asistime, shifra të frikshme, si sezon debutues në Serie A. /i.m /abcnews.al