Në Ukrainë po zbatohet Plani B i Putinit kundër Planit A të Biden

schedule13:22 - 21 Mars, 2022

schedule 13:22 - 21 Mars, 2022

Nga Thomas L. Friedman, The New York Times

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Pas një muaji që kur filloi lufta,  tani është shumë e qartë se cilat strategji po zhvillohen në Ukrainë: Plani B i Vladimir Putin kundrejt planit A të Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky. Le të shpresojmë që Biden dhe Zelensky do të triumfojnë, sepse plani C i mundshëm i Putinit është me të vërtetë i frikshëm  dhe as nuk dua ta mendoj se çfarë përfshin Plani D.

Nuk kam asnjë burim sekret në lidhje me këtë gjë, por vetëm përvojën se si ka vepruar Putin në Lindjen e Mesme për shumë vite. Si i tillë, më duket e qartë se Putin, pasi e kuptoi se plani i tij A nuk funksionoi ka kaluar në planin  B.

Plani B është që ushtria ruse qëllon qëllimisht kundër civilëve ukrainas, blloqeve të apartamenteve, spitaleve, bizneseve dhe madje edhe strehimoreve të gjitha këto kanë ndodhur gjatë javëve të  fundit  me qëllim që të inkurajojë ukrainasit të largohen nga shtëpitë e tyre, duke krijuar një eksod masiv refugjatësh brenda Ukrainës dhe, akoma më e rëndësishme, një krizë masive refugjatësh brenda vendeve fqinje të NATO-s, raporton abcnews.al

Nëse Putin nuk mund të pushtojë të gjithë Ukrainën me mjete ushtarake dhe të imponojë kushtet e tij të paqes, gjëja më e mirë do të ishte të “dërgonte” pesë ose 10 milionë refugjatë ukrainas, veçanërisht gra, fëmijë dhe të moshuar në Poloni, Hungari dhe Europën Perëndimore me qëllim ngarkesën sociale dhe ekonomike, në vendet e NATO-s.

Kjo do të bënte që vendet e NATO-s ti bëjnë presion Putinit të pranojë të gjitha kushtet për të ndaluar luftën.

Putin ndoshta shpreson se megjithëse ky plan ka shumë të ngjarë të përfshijë  krimet e  luftës pavarësisht sanksioneve të Perëndimit. Plani B i Putinit duket se po zbatohet ashtu siç ishte planifikuar, pasi më shumë se 3.3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës – kriza e më e shpejtë e refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore,  shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se Ukraina po vazhdonte të mbronte në mënyrë efektive hapësirën e saj ajrore, duke e detyruar Rusinë të mbështetej në armët ajrore. Ajo tha se Rusia ishte e detyruar të ndryshonte qasjen e saj operacionale.

Kjo ka të ngjarë të përfshijë përdorimin pa dallim të armëve të zjarrit duke çuar në rritjen e numrit të viktimave,  duke shkatërruar infrastrukturën ukrainase dhe duke rritur krizën humanitare. Megjithatë, plani B i Putinit po i afrohet planit të Bidenit dhe Zelenskit.

Plani A i Zelenskit është të luftojë me ushtrinë ruse në terren dhe ta detyrojë Putinin të pranojë kushtet e tij  për një marrëveshje paqeje. Zelensky është ende duke mbajtur shpresa te një zgjidhje diplomatike, madje ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me Putin.

Sipas analistëve dhe zyrtarëve amerikanë, forcat ukrainase kanë treguar rezistencë. Rusët nuk kanë ushtarë apo mjete ushtarake për të rrethuar Kievin  apo qytete të tjera të mëdha si Kharkiv dhe Odessa.

Plani A i Bidenit, për të cilin ai e paralajmëroi  Putinin përpara fillimit të luftës, në përpjekje për ta penguar atë, ishte vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, të ngjashme me të cilat nuk janë vendosur kurrë më parë nga Perëndimi  me synimin për të shtypur ekonominë ruse.

Strategjia e Biden-it, e cila përfshinte gjithashtu dërgimin e armëve në Ukrainë për të bërë presion ushtarak ndaj Rusisë po ndodh pikërisht tani. Fabrikat ruse tani duhet të mbyllen sepse nuk mund të marrin mikroçipe dhe lëndë të tjera të para që u nevojiten nga Perëndimi; Udhëtimet ajrore drejt dhe rreth Rusisë janë kufizuar.

“Në një fjalim televiziv të enjten, presidenti Vladimir Putin dukej se po pranonte sfidat e vendit. Ai tha se sanksionet do të shkaktonin “ndryshime të mëedha strukturore në ekonominë e vendit”, por u zotua se Rusia do të kapërcejë “përpjekjet për të organizuar një sulm ekonomik”.

Putin shtoi: “Situata është e vështirë për momentin. Kompanitë financiare ruse, ndërmarrjet e mëdha, bizneset e vogla dhe të mesme po përballen me presion të paprecedentë”.

A do të mundet që kriza e shkaktuar nga mbërritja e refugjatëve të shkaktojë presion te vendet e NATO-s?

Për tiu përgjigjur kësaj pyetje fillimisht duhet të dimë kur dhe si përfundon kjo luftë. Putin nuk do të pranojë që ka humbur sepse kjo do të ishte një poshtërim për të që do të minonte kontrollin e tij autoritar. Në këtë rast, ai mund të zgjidhte  planin C – i cili do të përfshinte sulme ajrore ose me raketa në linjat e furnizimit përtej kufirit në Poloni.

Polonia është një anëtare e NATO-s dhe çdo sulm në territorin e saj do të kërkonte që çdo anëtar tjetër i NATO-s të mbronte këtë të fundit. Putin mund të supozojë se nëse disa anëtarë të NATO-s kundërshtojnë mbrojtjen e Polonisë, NATO mund të shkatërrohet. Sigurisht që do të shkaktonte debate të mëdha brenda çdo vendi të NATO-s – veçanërisht tek Shtetet e Bashkuara  për përfshirjen e drejtpërdrejtë në një Luftë të Tretë Botërore me Rusinë.

Pavarësisht se çfarë ndodh në Ukrainë, nëse Putin do të mund ta përçajë  NATO-n, kjo do të ishte një arritje për të pasi do të “zhdukte” të gjitha humbjet e tjera të tij. Megjithatë, nëse planet A, B dhe C të Putinit dështojnë të gjitha, unë kam frikë se ai do të zgjidhte planin D – përdorimin e armëve kimike.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!