Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi kanë bërë një reagim ndaj deklaratave të bëra së fundmi nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në deklaratë Grida Duma, Alfreda Rushaj, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku si dhe Bardhi sjellin në vëmendje se Berisha “ka nisur një fushatë sulmesh ndaj nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm.
Ata shprehen se refuzojnë që të shkelin statutin për “interesa personale të Sali Berishës ndërsa shtojnë se kërkesa e liderit historik nuk ka asnjë lidhje me standartet demokratike.
REAGIM I PËRBASHKËT I NËNKRYETARËVE DHE SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE
“Prej disa ditëve, për shkak të qëndrimit tonë në mbrojtje të demokratëve dhe interesit të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha ka nisur një fushatë të padenjë sulmesh ndaj Nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Me keqardhje, përsëritet kërkesa që ne duhet të braktisim Partinë Demokratike dhe demokratët, dhe të bëhemi bashkë me Sali Berishën kundër partisë.
Secili prej nesh është i vendosur të refuzojë shkeljen e Statutit për interesa personale të Sali Berishës dhe izolimin e Partisë Demokratike. Kërkesa e z. Berisha nuk ka asnjë lidhje me PD, asnjë lidhje me standartet demokratike, asnjë lidhje me hallet dhe problemet e demokratëve. Demokratët kanë 8 vite që përballen me dhunën dhe terrorin e Edi Ramës, me krimin dhe bandat e tij dhe nuk jemi sprapsur as kthyer nga rruga për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne e kemi për detyrë të jeni krah tyre.
Asnjë intimidim nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë në krah të demokratëve, për një parti që u shërben atyre dhe jo që kthehet në mburojë të interesave personale të Sali Berishës, aleatëve të tij dhe cilitdo tjetër.”
Kujtojmë se sonte nga ‘Foltorja’ në qytetin e Burrelit, ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka kërkuar dorëheqjen anëtarëve të kryesisë së PD, Sekretarit të Përgjithshëm dhe nënkryetarëve të partisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka akuzuar ata se janë skllevër të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa për këtë të fundit vijoji me akuzën e përhershme duke thënë se është marrë peng nga Rama. /abcnews.al/