Thirrje për një Europë më fleksibël, kritika Conte-s

schedule08:41 - 13 Shkurt, 2019

schedule 08:41 - 13 Shkurt, 2019

Italia nuk po e gjen dot gjuhën e përbashkët me Brukselin. Ndërsa ka bërë thirrje për një Europë më fleksibël, kryeministri Conte është përballur me skepticizmin e ligjvënësve europianë, të cilët kanë akuzuar Romën se ka devijuar nga linjat që ndjek Unioni në ekonomi dhe politikën e jashtme.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte u përball të martën në Parlamentin Europian me një valë kritikash, pasi kërkoi një Europë më pak të sertë dhe më në përputhje me kërkesat e popujve për rritje ekonomike. Duke mbajtur fjalimin e tij në lidhje me të ardhmen e Unionit, Conte theksoi se Roma zyrtare vijon t’i përmbahet angazhimeve të marra kundrejt BE-së, të cilat janë vënë jo pak herë në dyshim.

Por, duke iu rikthyer thirrjeve të Italisë për rregulla buxhetore më fleksibël, për instrumente të përbashkëta për ulejn e borxhit, për një fond për papunësinë dhe për një ndryshim të rregullave për shpëtimin e bankave, ai tha se masat anti-krizë të ndërmarra ndër vite kanë vendosur një barrierë mes elitave dhe popujve që vë në rrezik projektet për të ardhmen.

“Kundërshtimi i fuqishëm që popujt europianë po u bëjnë elitave i drejtohet ndërgjegjeve tona dhe na kujton të gjithëve se politikat shumë të serta ekonomike nuk kanë dhënë efektet e pritura dhe kanë dështuar në misionin e tyre”, tha Conte.

Duke insistuar se administrata e tij po u përmbahet normave, ai shtoi se në të njëjtën kohë ajo po përpiqet të stimulojë rritjen ekonomike. Mes të tjerash, kreu i qeverisë italiane i bëri thirrje Unionit që t’i japë fund argumenteve të tejzgjatura mbi mënyrën e menaxhimit të emigrantëve që vijnë përmes Mesdheut dhe kërkoi që blloku europian të luajë një rol më të fortë në çështjet globale, duke ruajtur në të njëjtën kohë dialogun me fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Por krerët e grupeve parlamentare e kritikuan qeverinë Conte për një sërë çështjesh si shmangien e rregullave të buxhetit, miratimin e masave kundër azilkërkuesve, si dhe për mbajtjen e një qëndrimi pro-rus për të cënuar mbështetjen e BE-së për opozitën në Venezuelë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!