Janë arrestuar tre tifozë të Wolverhampton, të cilët kanë brohoritur dje në mënyrë homofobike gjatë ndeshjes së ekipit të tyre kundër Chelsea.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Chelsea dhe Premier League përmes llogarive të tyre zyrtare në Twitter. Thirrjet ishin përsëritur dhe kishin vazhduar edhe pasi spikeri i stadiumit kishte bërë thirrje që ata të pushonin. Policia e West Midlands identifikoi tre persona dhe i ndaloi për prishje të rendit publik, shkaktim alarmi dhe për përdorim të fjalëve ose sjelljeve të urrejtjes ndaj orientimeve të ndryshme seksuale.
Si Chelsea ashtu edhe Wolves kanë dënuar sjelljen e këtyre tifozëve përmes rrjeteve sociale dhe klubi londinez gjithashtu ka përsëritur se, duke vazhduar të punojë së bashku me grupin “Chelsea Pride”, do të vazhdojë të luftojë kundër të gjitha formave të diskriminimit./ h.ll/abcnews.al