Manchester United numëron 9 pikë pas tetë javëve të para në kampionat dhe kjo është nisja më e dobët në 30 vitet e fundit. Ekipi nuk po arrin të shprehë potencialin e vet dhe kritikat e tifozëve janë shtuar shumë.
Trajneri Solskjaer rrezikon seriozisht postin dhe në ekip mbizotëron kaosi. Megjithatë, për të qetësuar sadopak situatën ka menduar Harry Meguire. Mbrojtësi më i shtrenjtë në botë ka një mesazh për të gjithë në prononcimin e dhënë për sajtin e klubit. 26-vjeçari kërkon kohë dhe beson se United do të rikthehet te fitimi i trofeve. Ai bën thirrje për mbështetje dhe jo kritika.
“Manchester United ka një projekt afatgjatë. Unë duhet të gjykohem pas 5-6 vitesh, jo tani, ashtu si e gjithë skuadra. Boll më me kritika! Kam besim se në këtë periudhë kohore do të fitojmë trofe dhe do të përjetojmë shumë momente për t’u mbajtur mend. Duhet të përmirësohemi si skuadër, jo vetëm individualisht. Nëse ia dalim, do të kem fituar edhe unë”, përfundon “gjiganti” i mbrojtjes së United. /abcnews.al