Thiago Silva doli lojtar i lirë në datë 30 qershor, por e gjeti akordin me PSG për të luajtur në Champions League. Kompeticioni më i rëndësishëm për klube, do të rifillojë në muajin gusht dhe kampionët e Francës janë kualifikuar në çerekfinale.
Pasi të përfundojë Champions, “veterani” i mbrojtjes do të zgjedhë skuadrën e re. Në Itali e do Milani, por ka edhe interesim nga ana e Fiorentinës. Carlo Ancelotti shpreson të punojë sërish me të dhe i ofron një post titullari tek Everton.
Gara për 35-vjeçarin është e fortë dhe një tjetër klub i Premier League po tenton ta joshë. Le10Sport raporton se Arsenali e do për të përforcuar prapavijën dhe po kërkon të shfrytëzojë David Luiz.
Të dy mbrojtësit brazilianë kanë një raport fantastik prej vitesh dhe vitin e ardhshëm mund të gjejnë njëri-tjetrin te Gunners. David Luiz po tenton ta bindë për të pranuar ofertën e Arsenalit dhe drejtuesit e klubit londinez shpresojnë që t’ia dalë. /abcnews.al