Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange kthehet në shtëpi pas 14 vitesh beteja ligjore

schedule08:55 - 26 Qershor, 2024

schedule 08:55 - 26 Qershor, 2024

Gjykatësja Ramona Manglona pranoi deklarimin e tij të fajësisë për komplot për marrjen dhe zbulimin e dokumenteve të fshehta të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe e liroi atë për shkak të kohës që ai kishte shërbyer tashmë në një burg britanik.

Gjatë seancës dëgjimore tre-orëshe, Julian Assange u deklarua fajtor siç kërkohet nga marrëveshja: “Duke punuar si gazetar, inkurajova burimin tim të jepte informacione që pretendohej se ishin të klasifikuara për t’i bërë publike,” tha ai në gjykatë.

“Unë besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë aktivitet, por e pranoj se ishte … shkelje e Aktit të Spiunazhit,” shtoi Assange.

Themeluesi i WikiLeaks qëndroi i burgosur për pesë vjet në burgun e sigurisë maksimale në Belmars, pasi i kaloi 7 vite në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

52-vjeçari Assange do të largohet nga Saipan me avion privat për në Canberra, Australi, i shoqëruar nga ambasadorët australianë në SHBA dhe Britani.

“Sot është një ditë historike”, tha avokatja mbrojtëse Jennifer Robinson. “Është një lehtësim i madh për Julian Assange… për miqtë e tij, familjen, mbështetësit e tij, për ne, për këdo që beson në fjalën e lirë në mbarë botën… që ai tani mund të kthehet në Australi dhe të ribashkohet me familjen”, shtoi ajo.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!