E ardhmja e themeluesit të Wikileaks duket se po merr formë, por jo në favor të tij. Bashkëpunëtorë të Julian Assange kanë deklaruar se autoritetet britanike kanë arritur të bindin ato ekuadoriane për ta nxjerrë atë nga ambasada e vendit latin në Londër, ku jeton prej 6 vitesh.
Ngërçit diplomatik mbi çështjen e Julian Assange, që prej 6 vitesh jeton në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, duket se po i vjen fundi. Lajmin e ka bërë të ditur një burim nga stafi i portalit Wikileaks, pas raportimeve në media se vendi amerikano-jugor do të shfuqizonte vendimin për azil politik.
“Jemi në një moment kritik dhe rrethanat për të nuk janë aspak pozitive”, ka deklaruar burimi për agjencinë “Reuters”, duke ruajtur anonimatin.
Assange jeton në selinë diplomatike ekuadoriane që prej Qershorit 2012, ku kërkoi dhe iu dha azil për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku do të përballej me akuzat për agresion seksual, të cilat vazhdimisht i ka mohuar. Në fakt, akuzat në fjalë kanë rënë, por Assange do të arrestohej nga policia britanike në rast se do të dilte nga ambasada, për akuza që kanë të bëjnë me shkeljen e lirisë me kusht të ofruar atij vite më parë.
Vetë themeluesi i një prej portaleve më kontradiktore në histori dyshon se arrestimi nga pala britanike do t’i hapte rrugë ekstradimit në Shtetet e Bashkuara, për shkak të publikimit të kabllogramëve diplomatike. Spekulimet mbi të ardhmen e Assange u shtuan këtë muaj, pasi gazeta “Sunday Times” deklaroi se zyrtarë britanikë dhe ekuadorianë po negociojnë për një mënyrë për ta nxjerrë nga ambasada. Sidoqoftë, qeveritë e dy vendeve mohuan zërat për një proces të tillë, që do t’i jepte fund një nga rasteve më të komplikuara të diplomacisë./abcnews.al