Thellohen tensionet, Irani akuzon SHBA: Po kalon vijat e kuqe

schedule15:40 - 13 Janar, 2018

schedule 15:40 - 13 Janar, 2018

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të përkeqësohen edhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen bërthamore, për të cilën administrata amerikane shprehet skeptike. Së fundmi shkak për acarimin e toneve është bërë sanksioni që Uashingtoni zyrtar ka vendosur ndaj kreut të sistemit të drejtësisë iraniane, një veprim ky që për Republikën Islamike përbën tejkalim të “vijave të kuqe”. Ministria e Jashtme në Teheran reagoi duke deklaruar se do të marrë masa ndaj kësaj lëvizjeje, por pa dhënë detaje se të çfarë lloji do të jenë ato. “Veprimi armiqësor i regjimit të Trump kalon çdo vijë të kuqe në politikat e komunitetit ndërkombëtar. Ai përbën shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe Republika Islamike siguron se do të marrë masa serioze ndaj tij”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme. Diplomacia iraniane akuzon presidentin Trump për ndërmarrjen e politikave në dëm të popullit iranian dhe për kërcënime, të cilat sipas Teheranit nuk kanë funksionuar kurrë. Pak ditë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje aleatëve europianë dhe Iranit që të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore, në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen prej saj dhe do t’u rikthehen sanksioneve të rënda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!