The Times: Bandat shqiptare shpërndajnë dhunë e kokainë në Britani

schedule13:21 - 10 Maj, 2018

schedule 13:21 - 10 Maj, 2018

Gazeta britanike “The Times” në një artikull ngre shqetësimin e rritjes së ndikimit të bandave shqiptare të cilat përhapin krim dhe dhunë. Sipas të përditshmes, bandat shqiptare janë shumë të rrezikshme dhe janë përqëndruar në trafikimin e kokainës së pastër nga Amerika Latine.

Gazeta britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull problematikave që lidhen me bandat kriminale që drejtohen nga shqiptarët. E përditshmja shkruan se kriminelët shqiptarë që kontrollojnë trafikun e kokainës me cilësi shumë të lartë, kanë rritur prezencën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 60% në 3 vitet e fundit duke sjellë dhe një rritje në krimet e dhunshme.  “The Times” nënvizon se mafia shqiptare ka lidhje me Kartelet e Amerikës Latine dhe kanë përhapur aktivitetin e tyre në qytete bregdetare dhe fshatra ruralë duke shtuar importimin e sasive të kokainës.

Sipas gazetës, ky fakt ka ngritur shqetësim jo të vogël tek Agjencia Kombëtare Britanike që lufton krimin e organizuar. Mendohet se kjo justifikon edhe numrin e lartë të krimeve që janë regjistruar këtë vit në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Duke nënvizuar faktin që bandat shqiptare kanë kaluar me ndikim dhe ato të romunëve, nënvizohet se ata janë të specializuar në pastrimin e parave, krimin e dhunshëm dhe trafikimin e qënieve njerzore. “Bandat shqiptare kanë zhvilluar një reputacion frikësues si ekspertë të marrëveshjeve dhe të logjistikës që kanë qasje në armë. Si dhe kanë kapacitet të fuqishëm në përballjet e armatosura me grupet rivale të tyre dhe nuk tërheqin vëmendjen e autoriteteve”, shkruan e përditshmja britanike.

Gjithashtu nënvizon se kanabisi i prodhuar në Shqipëri i shitur në Europë ka vlerën 5 miliardë euro çdo vit. Por në Britani bandat janë fokusuar në trafikimin e kokainës me cilësi të pastër, i cili është një aktivitet më shumë fitimprurës. Autoritetet shprehin dhe një problem tjetër që kanë hapur me bandat shqiptare. Hetuesit tregojnë se e kanë thuajse të pamundur që të infiltrohen mes tyre pasi janë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe i zbulojnë shumë shpejt agjentët e fshehtë. “Agjencia Kombëtare për Krimin e Organizuar thotë se korrupsioni dhe mungesa e bashkëpunimit nga autoritetet në Ballkan e bën më të vështirë goditjen e baronëve shqiptarë të drogës”, nënvizon “The Times”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!