“The Times”: Arrihet marreveshja financiare për Brexit

schedule13:10 - 1 Nëntor, 2018

schedule 13:10 - 1 Nëntor, 2018

Brukseli dhe Londra kanë arritur një marreveshje të rëndësishme sa i përket Breksit. Negociatorët kanë rënë dakord për një pakt financiar që i lejon Mbretërisë së Bashkuar të ketë qasje në tregun evropian edhe pas shkëputjes nga BE.

Britania dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje mbi shërbimet financiare për të ruajtur qasjen britanike në tregun evropian pas Brexit. Kjo raportohet nga media “Times”.

“Negociatorët britanikë dhe evropianë kanë arritur në parim një marrëveshje mbi të gjitha aspektet e një partneriteti të ardhshëm në shërbime, si dhe shkëmbimin e të dhënave”, raporton gazeta britanike duke cituar burime qeveritare.

Sipas kësaj marrëveshje, “BE do t’u jepte kompanive britanike akses në tregjet evropiane për aq kohë sa rregullimi financiar i Mbretërisë së Bashkuar do të mbetet kryesisht i përafruar me atë evropian”.

Që nga fillimi i negociatave të Brexit, të nisur në Qershor 2017, shërbimet financiare kanë qenë një çështje vendimtare në negociata.

Londra kërkon një marrëveshje që lejon kompanitë e financave në Mbretërinë e Bashkuar të vazhdojnë të veprojnë në Evropë, veçanërisht për të mbrojtur qendrën financiare të qytetit. Brukseli ka kohë që ka refuzuar këtë opsion, të etur për të ruajtur “pandashmërinë” e lirive të tregut të vetëm, të cilat përfshijnë lëvizjen e lirë të shërbimeve dhe kapitalit si ai i njerëzve, të cilit qeveria britanike dëshiron t’i japë fund.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar do të largohet zyrtarisht nga Unioni në fund të Marsit të 2019-s. Megjithatë ende nuk është e qartë nëse kjo do të bëhet me marrëveshje finale apo jo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!