The Guardian: Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – nën zjarr

schedule15:52 - 3 Shtator, 2018

schedule 15:52 - 3 Shtator, 2018

Media prestigjoze britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull rreth korrigjimit të mundshëm të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, si ide për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve. Gazeta ka theksuar se përkundër faktit se qëndrimet amerikane kanë ndryshuar gjatë administratës së fundit, plani për ri-organizmin e kufijve është duke hasur në kundërshtime si brenda edhe jashtë Ballkanit.

Media prestigjoze britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull për propozimin e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë dhe kundërshtimeve që po has kjo ide. “Presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç kanë sugjeruar se një shkëmbim territoresh mund të jetë pjesë e një marrëveshje që do të hapë rrugën për një zgjidhje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës. Dy krerët e shtetit janë takuar rregullisht nën patronazhin e shefes për politikë të jashtë të BE-së, Federica Mogherini, për të arritur një marrëveshje që mund t’i japë Kosovës një ulëse në OKB dhe t’i vendos të dyja vendet më afër BE-së”, shkruan gazeta britanike.
Në një diskutimi të mbajtur në Austri gjatë javës së kaluar, të dy kanë pohuar se ndryshimet kufitare ishin pjesë e diskutimit.

“Një ndryshim ndoshta do të përfshinte shkëmbimin e territorit të Serbisë jugore, kryesisht të populluar nga shqiptarët etnikë, për pjesën e Kosovës veriore me një popullsi kryesisht etnike serbe”, thekson “The Guardian”. Media prestigjoze raporton edhe qëndrimin e Usahingtonit për të mos marrë pjesë në këto bisedime, ndërsa përmenden edhe kundërshtimet që po hasin Thaçi dhe Vuçiç brenda dhe jashtë vendit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka kundërshtuar një ide të tillë dhe tre ish-përfaqësues të lartë të Bosnjës i kanë dërguar një letër Federica Mogherinit duke i kërkuar asaj të mos mbështesë ndonjë plan që përfshin shkëmbim territoresh.

Përveç Bosnjes, edhe në Maqedoni ka frikë se rihapja e kësaj teme mund të ndezë dëshira të reja, pasi atje jetojnë një numër i madh shqiptarësh. The Guardian shkruan se sa i përket shkëmbimit të territorit, “një tjetër faktor kyç është edhe Rusia.Vuçiç pritet të takojë dy herë presidentin rus Vladimir Putin në muajt e ardhshëm dhe deri më tash Moska ka dhënë pak shenja se a është gati të heqë kundërshtimin e saj të gjatë për pavarësinë e Kosovës”./abcnews.al