“The Economist”: Pse pasaportat e vaksinave po shkaktojnë kaos

schedule09:40 - 28 Tetor, 2021

schedule 09:40 - 28 Tetor, 2021

“The Economist”

Shumë vende nuk kërkonin pasaporta para Luftës së Parë Botërore. Por kur ai konflikt u përhap, shtetet u përpoqën që të fusnin në përdorim dokumentet e udhëtimi, si një ndihmë për sigurimin e kufijve të tyre kombëtarë. Pas armëpushimit, rezultati ishte një amulli informacionesh të ndryshme mbi kombësi të ndryshme, që krijonte kaos dhe paqartësi në pikat kufitare.

Por rikthimi në një botë ku njerëzit mund të udhëtonin lirshëm përtej kufijve, ishte gjithsesi i paimagjinueshëm. Në vitin 1920 në këtë proces ndërhyri Lidhja e Kombeve. Ajo hartoi një broshurë prej 32 faqesh me emrin e vendit në kopertinë dhe me informacione të tilla personale bazë si vendi dhe data e lindjes.

Disa qeveri ankoheshin – Franca e konsideronte broshurën si shumë të shtrenjtë për t’u printuar në krahasim me fletën e saj të vetme – dhe iu deshën disa vite që të përshtatej. Por

sot të gjitha pasaportat ndjekin të njëjtin format. Qoftë në “Heathrow” në Britani apo “Moshoeshoe I International” në Lesoto, zyrtarët mund të shohin një pasaportë dhe të jenë shumë të sigurt për privilegjet e udhëtimit të bartësit të saj.

Gjatë pandemisë Covid-19, është duke u zhvilluar një proces i ngjashëm. Shtetet kanë nxituar që të krijojnë pasaportat e vaksinimit për ta ndaluar virusin në kufi, ose në dyert e restorantit apo palestrës. Shpesh njerëzit duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, se kanë rezultuar negativ në testin e fundit apo që janë prekur nga Covid-19 dhe janë shëruar.

Këtë herë qeveritë nuk janë vetëm. Kompanitë e teknologjisë IBM dhe Microsoft, shoqatat e industrisë si Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, dhe organizatat joqeveritare si Forumi Ekonomik Botëror, janë të angazhuara në këtë proces.

Tre studentë universitarë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Austrinë e Veriut, e kaluan të gjithë verën duke menduar se si të krijonin një leje që funksionon në të gjithë Bashkimin Evropian. Nga ai moment aplikacioni “GreenPass”, është shkarkuar mbi 100.000 herë.

Ashtu si gjatë Luftës së Madhe, emergjenca e ka mposhtur koordinimin. India ka një certifikatë “CoWIN” me një kod QR, që e identifikon informacionin dhe që ka një foto jo të bartësit, por të kryeministrit Narendra Modi. Njerëzit në Angli mund të zgjedhin midis një kodi QR në aplikacion ose faqen e internetit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), apo një certifikimi nga mjeku i tyre.

Në Amerikë, ku presidenti Joe Biden është zotuar të mos krijojë një bazë të dhënash kombëtare mbi vaksinimi, janë në përdorim shumë leje të ndryshme shëndetësore shtetërore dhe private. Problemi është se këto pasaporta nuk janë të ndërveprueshme.

Shumica duken njësoj:një kod QR në një smartfon ose një copë letër. Megjithatë, edhe skanimi i kodeve mund të jetë një problem: aplikacione të ndryshme verifikuese lexojnë pasaporta të ndryshme. Pasi skanohen, kodet ofrojnë informacione shumë të ndryshme,

në varësi të sistemeve shëndetësore kombëtare ose lokale, apo qasjeve mbi privatësinë.

Disa pasaporta vaksinash, si për shembull “CommonPass” që përdoret në disa pjesë të Amerikës, ndajnë të dhëna të papërpunuara mbi statusin e vaksinimit. Të tjerat, si ajo e lëshuar nga NHS, japin vetëm një simbol, një tik-tak ose një kryq.

Për më tepër rregullat e lojës nuk janë fikse. Gjatë një rritje të re të rasteve me Covid-19 këtë muaj, Izraeli ua mori mbrapsht “lejen e gjelbër” 2 milion njerëzve që ende nuk kishin marrë një dozë përforcuese. Barra administrative, tregtare, madje edhe psikologjike është më e dukshme në aeroporte.

Numri i udhëtarëve ka rënë me 85-90 për qind, megjithatë arritja në portën dalëse është shndërruar në një rrugë me shumë pengesa. Radhët janë të gjata ndërsa udhëtarët e shqetësuar kërkojnë copëza letrash dhe kode QR. Zyrtarët përpiqen që të konfirmojnë se cilat vaksina janë miratuar nga rregullatorët shtetërorë, dhe për sa kohë janë të vlefshme rezultatet e testit sipas destinacioneve përkatëse.

Siç thotë Corneel Koster i linjës ajrore “Virgin Atlantic”:“Situata është tamam si njëlloj xhungle”. Ndaj ka ardhur koha për standardizimin e këtij procesi. Por krijimi i një lejeje dixhitale shëndetësore, është diçka më e ndërlikuar sesa hartimi i një dokumenti udhëtimi. Pasaportat mund të zbulojnë moshën, por lejet e vaksinave bartin informacione personal mbi shëndetin.

Dhe kjo gjë i tremb njerëzit. Edhe në botën e pasur, mbështetja për pasaportat e vaksinave varion nga 65 për qind në Britani në 43 për qind në Japoni dhe 41 për qind në Gjermani.

Në teori, teknologjia dixhitale duhet që ta bëjë të lehtë verifikimin e statusit të vaksinimit. Por për shkak se aplikacionet e verifikimit nuk mund t’i njohin të gjitha kodet QR, shumë verifikues përdorin atë që Edgar Whitley i Shkollës Ekonomike të Londrës e quan një qasje “flash-and-go”, pra vetëm i shohin ato.

Ndërkohë edhe në këtë fushë ka lindur tregu i zi. Oded Vanunu i“Check Point Software Technologies”, një kompani e sigurisë kibernetike, është paraqitur si blerës dhe ka siguruar certifikata vaksinash të rreme vetëm për 75 euro në Francë, 9.500 rubla (134 dollarë) për

ato ruse, dhe ato të Singaporit për 250 euro në rrjetin e errët Telegram, një aplikacion mesazhesh.

Këto dokumente të falsifikuara duken në pamje të parë si origjinale, por mashtrimi zbulohet shumë lehtë nëse skanohen siç duhet. Kur agjentët e linjës ajrore, punëdhënësit dhe stafi skanojnë kodet QR, ata verifikojnë 2 gjëra:konfirmimin që bartësi i pasaportës është vaksinuar apo testuar për Covid-19, dhe një nënshkrim dixhital që vërteton se informacioni vjen nga një lëshues i besueshëm.

Uniformiteti i lejeve dixhitale të shëndetit, do të kërkonte një marrëveshje të gjerë mbi atë

se çfarë duhet të përfshijë saktësisht informacioni shëndetësor,dhe si të etiketohet dhe paketohet ai. Dhe kjo gjë duhet të jetë relativisht e lehtë.

Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi udhëzimet që rekomandojnë të dhënat minimale për një certifikatë të shëndetit. Emri dhe data e lindjes së bartësit, plus marka e vaksinës konsiderohen të nevojshme. Ndërkaq, më i ndërlikuar është krijimi i një sistemi të unifikuar për kontrollin e nënshkrimeve dixhitale të autoriteteve shëndetësore.

Krijimi i një baze të tillë të dhënash është një detyrë e kushtueshme dhe me shumë sfida politike. Vendet me një shërbim shëndetësor kombëtar si Britania, kanë vetëm një emetues. Por në Amerikë ekzistojnë rreth 300 të tillë, përfshirë qeveritë lokale, spitalet dhe farmacitë.

Pa një mënyrë të besueshme për të verifikuar certifikatat përtej kufijve, do të ketë probleme edhe teknologjia më e avancuar. George Connolly është shefi ekzekutiv i “OneLedger”, një kompani që projektoi “OnePass”, një pasaportë të vaksinës të bazuar në rrjetin zinxhir.

Ai thotë se ka qasje në të dhënat e vetëm rreth 20 juridiksioneve. Kështu, ai përdor kontraktorët për të kontrolluar kalimet nga diku tjetër, duke telefonuar dhe u dërguar e-maile autoriteteve shëndetësore. Gjykuar nga çmimet e tregut të zi, pasaportat e vaksinave nuk janë shumë më të lehta për t’u falsifikuar.

Versionet e rreme në letër të certifikatave të vaksinave të lëshuara nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shiten minimumi 150 dollarë copa në Telegram, më shumë se disa alternativa të tjera dixhitale. Në fakt, pengesa më e madhe për pasaportat e arsyeshme të vaksinave nuk është teknologjia, por gjeopolitika.

Që vendet të bien dakord për standardet globale, do të duhej një organizatë e besuar në nivel global dhe me sofistikim në shëndetësi, teknologji dhe diplomaci. Ky mund të duket

një rol i dukshëm për OBSH-në. Por e përfshirë në rivalitetin midis Amerikës dhe Kinës, kjo organizatë është sulmuar nga të gjitha anët për menaxhimin që i ka bërë pandemisë.

Për më tepër, OBSH ka refuzuar të përfshihet në vërtetimin dhe verifikimin. Mbajtja e një regjistri të tillëdo të kërkonte një staf të madh, po edhe marrjen e vendimeve politike delikate, si për shembull nëse do të njiheshin dokumentet nga Palestina apo Afganistani, dhe cilat vaksina janë mjaftueshëm të mira.

Po ashtu,OBSH do të duhej të ndërmerrte një lloj qasje në rast se një shtet do të thyente rregullat. Carmen Dolea, kreu i Sekretariatit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit në OBSH, thotë se kjo detyrë shkon përtej mandatit të saj. Gjithsesi edhe pse ngadalë, bota po shkon drejt një unifikimit të një pjese të vogël të standardeve dhe teknologjive.

Kështu, standardet e Bashkimit Evropian për certifikatat dixhitale të Covid-19, po përdoren gjithashtu edhe nga Turqia dhe Zvicra. Hapi tjetër thotë OBSH, është që vendet të negociojnë marrëveshje dypalëshe ose rajonale. Negociatat e fundit midis Britanisë dhe Indisë tregojnë sa kaotik mund të jetë ky proces.

Ndoshta, nga hiri i pandemisë, bota do të krijojë një pasaportë vaksine dixhitale pa probleme që do të zëvendësojë kartonin e verdhë. Por ndërkohë që Covid-19 po vazhdon të marrë ende mijëra jetë njerëzish në javë, grindjet mbi kodet QR dhe nënshkrimet dixhitale midis organizatave shumëpalëshe grupeve të teknologjisë dhe shteteve janë shpërqendruese.