Thaçi: S’jam dakord me taksën ndaj produkteve serbe

schedule15:31 - 10 Nëntor, 2018

schedule 15:31 - 10 Nëntor, 2018

Në një bashkëbisedim me gazetarët në Francë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e konsideroi një hap jo të matur të qeverisë Haradinaj vendosjen e taksës prej 10 për qind ndaj produkteve serbe. Kreu i shtetit theksoi se kjo nuk është në interes të shtetit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi hap jo të matur vendimin e qeverisë “Haradinaj” për vendosjen e taksës 10% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Në një konference për gazetarët nga Parisi, presidenti Thaçi është pyetur rreth kësaj çështje. Duke përmendur reagimet e Bashkimit Evropian rreth vendosjes së kësaj takse, kreu i shteti tha se vendimet të tilla nuk i sjellin të mira vendit.

Hashim Thaçi: “Ne duhet të shikojmë në interesin tonë shtetëror. Duhet të punojmë me përgjithësi të mëdha me veprime balancuese që janë në interes të klimës dhe kultivimit të interesit shtetëror. Diçka e tillë nga ana e autoriteteve evropiane veç është një deklarim i tyre, ajo që potencoj është se duhet të shikojmë që të punojmë dhe të krijojmë argumenteve të BE-së dhe amerikanë na mbështesin,  e jo argumentet që e komplikojnë mbështetjen e tyre para mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë”.

Thaçi ka folur edhe për kërcënimin e Listës Srpska për dalje nga Qeveria, pas vendosjes së sanksioneve tregtare. Kjo, sipas tij, do të komplikonte vijimin e punës së ekzekutivit, duke mos përjashtuar që mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme.

Hashim Thaçi: “Ne ndërtojmë një shtet në bazë të realitetit multi-etnik. Kosova nuk do të ketë kufinj të bazave etnike. Nuk do të ketë shkëmbim.  Vendimi i tyre për daljen nga qeveria nuk është ndihmuese për Kosovën. Ka vënë në turbulencë udhëheqjen e vendit dhe kjo e komplikon”.

Pas vendosjes së taksës prej 10 përqind ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës, zëdhënësja e BE-së ka kërkuar sqarim urgjent dhe tërheqje të vendimit nga ana e qeverisë së Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!