Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar se korrigjimi i kufijve me Serbinë nuk do të thotë shkëmbim territoresh. Në një intervistë për “Kosova Press”, Thaçi ka deklaruar se Kosova nuk do të humbasë asnjë copë territori për bashkimin me Preshevën dhe për këtë ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka mëshuar sërish opsionit të korrigjimit të kufijve, duke nënvizuar se shumë shtete të botës e kanë përdorur atë si mjet për të tejkaluar hasmëritë, problemet dhe për të vendosur një paqe afatgjatë. “Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë”, ka deklaruar Thaçi.
Në një intervistë për “Kosova Press”, presidenti ka theksuar se, gjatë gjithë këtyre viteve dialog me Serbinë, pala kosovare është kritikuar përse nuk ka ngritur në Bruksel çështjen e Luginës së Preshevës; ndërsa tani, sipas tij, të gjithë po mbyllin sytë përpara kërkesës legjitime të Prishtinës që ajo t’i bashkohet Kosovës.
“Kërkesa jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur t’u garantojë atyre të drejta të cilat ne ua garantojmë serbëve të Kosovës”, ka vijuar Thaçi. I pyetur nëse Kosova do të bëjë lëshime në këmbim të bashkimit me Preshevën, Thaçi është përgjigjur se Kosova nuk ka hyrë në dialog për të humbur e as për të dhënë. “Kosova ka hyrë në këtë dialog për të arritur marrëveshje paqësore, në përputhje me interesat shtetërore. Kosova përballë Serbisë gjithmonë ka dalë fituese, sepse kemi qenë të bashkuar në të drejtën tonë për liri, pavarësi dhe kemi pasuar në vazhdimësi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi.
Kreu i shtetit ka shtuar se në këtë nismë Kosova ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të Uashingtonit. “Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dalë fitimtare pikërisht sepse ka besuar tek Shtetet e Bashkuara, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptikë. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë”, ka shtuar Thaçi.
Në vijim të intervistës, presidenti i Kosovës ka hedhur poshtë përplasjen mes tij dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke e cilësuar debatin e krijuar një “interpretim mediatik”./abcnews.al