Presidenti i Kosovës, reagoi për deklaratat e ditës së kaluar të bëra nga qeveria dhe opozita shqiptare duke thënë se nuk pranon përshtjellime politike. Ndërsa ripërsëriti se vetëm me korrigjimin e kufijve, Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, doli në një konferencë për shtyp për të komentuar deklaratat e fundit që erdhën nga Shqipëria, gjatë vizitës që zhvilloi kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Kreu i Shtetit nënvizoi se nga Tirana pranon vetëm këshilla dhe sugjerime.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Ne jemi shtete të pavarura dhe për marrëveshjen finale me Serbinë, do të vendos Prishtina zyrtare. Siç ne nuk pretendojmë të përzihemi në marrëveshjen e tyre me Greqinë – ne pranojmë çdo këshillë dhe sugjerim, por për çdo ngjyrim partiak ose për çfarëdo pështjellimi politik do të jenë kategorik të refuzuar”.
Të mërkurën, qeveria dhe opozita shqiptare u shprehën kundër idesë së rishikimit të kufijve. Më tej Thaçi ritheksoi edhe njëherë se vetëm me korrigjimin e kufijve mund të përmbyllet dialogu me Serbinë në Bruksel.
“Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi. Korrigjimi i kufirit i siguron Kosovës njohje direkte dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Respektoj në plotni të drejtat e shqiptarëve në Preshevë dhe kërkesa e liderishipit drejtuar partive në Kosovë është e saktë dhe në përputhje me të drejtat e tyre legjitime”.
Ndër të tjera, ai kërkoi që të ketë bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës në Kosovë për të funsionalizuar sa më parë ekipin negociator./abcnews.al