Thaçi përshëndet emërimin e Hysenit: Produkt i koordinimit ndërshtetëror

schedule18:28 - 21 Korrik, 2020

schedule 18:28 - 21 Korrik, 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përshëndetur emërimin e Skënder Hysenit si koordinator për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi shprehet se ka besim të plotë tek eksperienca “tri dekadëshe e Hysenit në procesin e lirisë dhe shtetformimit.” Kjo eksperiencë, sipas tij, do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Thaçit, emërimi i Hysenit është produkt i koordinimit ndërshtetëror.

Presidenti kosovar thotë se Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë “dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.”

Postimi i plotë:

“E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërshtetëror.

Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.

Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës. HTH.” /abcnews.al/