Thaçi për Wall Street Journal: Kosova, mrekullia e vogël e Europës

schedule12:03 - 17 Shkurt, 2018

schedule 12:03 - 17 Shkurt, 2018

Në një editorial të publikuar në amerikanen Uoll Strit Journal. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kujton rrugën e vendit drejt shpalljes së pavarësisë dhe sfidat që e presin. Kreu i shtetit kosovar e konsideron vendin një mrekulli të vogël të Europës, dhe pse kjo e fundit nuk po i kushton vëmendjen e duhur aktualisht.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me anë të një shkrimi të publikuar në Uoll Strit Journal me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, shprehet se Kosova mund të konsiderohet si një mrekulli e vogël e Europës. Ai thekson se vendi ka shumë arsye për të festuar.

Kreu i shtetit kosovar thekson se shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje që të përgjigjen përmes rezistencës paqësore gjatë fillimit të viteve 1990, por racionaliteti nuk mbizotëroi. Ai tha se kjo ishte arsyeja pse duhej të fillonte lufat për liri duke shpresuar se ata që besonin në vlerat perëndimore do ndihmonin

Thaci kujton se që nga momenti që Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) çliroi Kosovën më 1999, ishte e qartë se një shtet i ri do të lindte. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në Evropë më 17 shkurt 2008.

Presidenti I Kosovës shkruan ndër të tjera se ata që e lexojnë deklaratë e pavarësisë e kuptojnë se asgjë në përpjekjet për ndërtimin e shtetit nuk ka qenë e njëanshme. Negociatat e udhëhequra nga Çmimi Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ishin të thella. NATO, Bashkimi Evropian dhe aleatë të tjerë punuan së bashku për të siguruar paqen dhe stabilitetin pas pavarësisë. Puna e tyre ishte jetike për të siguruar një tranzicion të qetë. Ai ka theksuar se Kosova ka pasur kundërshtarët e saj që nga ditët e para.

Megjithatë, shkruan presidenti Thaçi, Kosova është shteti me rritjen më të shpejtë ekonomike mesatare në Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.

“Ne ishim të parët në rajon që zgjodhëm një presidente grua. Sportistët tanë, producentët e filmit, muzikantët dhe personalitetet kulturore nga vendi ynë kanë fituar vëmendje ndërkombëtare”, shkruan ai.

Sidoqoftë Thaçi përmend dhe njëherë faktin se Bashkimi Europian është ngatërruar disi. Në strategjinë për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor të aprovuar së fundi, Kosova përmendet fare pak, si rezultat i shqetësimeve të Spanjës rreth separatizmit. Thaci përfundon shkrimin duke pranuar se vendi duhet ende të përmbushë kushtet e BE-së për mjedisin, ekonominë dhe sundimin e së drejtës. Por, në të vërtetë Kosova është në rrugën e duhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!