Në konferencën e përbashkët për shtyp nga presidenca së bashku me zyrtarë të Luginës së Preshevës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se nuk ka leje nga Serbia për të vizituar rajonin.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesit e Luginës në presidencë u shpreh se nuk ka lejen e Serbisë për të vizituar Preshevën. Ai tha se e njeh mirë Luginën e Preshevës dhe shqetësimet e shqiptarëve atje, por rrethanat nuk e lejojnë të shkojë atje.
Hashim Thaçi: “Jetën time të angazhimit kam vizituar dhe kam qëndruar atje. Kam pasur bashkëluftëtarë nga Lugina. E njoh shumë mirë këtë vend, edhe preokupimet e tyre. Për këtë jam i vendosur që vullnetin e tyre ta shtyjë përpara. Kur e kam vizituar Luginën e Preshevës, nuk kam pasur leje të Serbisë. Kam qenë aty në përpjekjet për kauzën tonë”.
Por sipas Thaçit tashmë vendi është në rrethana të tjera, por pavarësisht në do e realizojë këtë vizitë apo jo, bashkëpunimi i ngushtë do të vazhdojë.
Hashim Thaçi: “Ju të gjithë e dini që jam i dënuar në mungesë nga Serbia, atë dënim Serbia nuk ma ka falur kurrë dhe as s’e kam kërkuar. Unë sillem si president dhe nuk dua të ballafaqohem fizikisht me policinë atje. Edhe sot përfaqësuesit e Luginës më ftuan ta vizitojë atë pjesë, por rrethanat janë të tilla që Beogradi nuk e sheh të arsyeshme prezencën time atje. Unë nuk kam bërë një kërkesë të tillë, sepse e paramendoj përgjigjen e tyre. Po pavarësisht e vizitoj apo jo, do të bashkëpunojmë ngushtë”.
Partitë kosovare në opozitë, javën e kaluar u përpoqën të mbajnë një seancë për miratimin e rezolutës, e cila do t’ia ndalonte presidentit Thaçi të bisedonte me Vuçiç për territorin e Kosovës.
Ndërsa, përfaqësuesit e Luginës, sot nga Zyra e Thaçit i kërkuan opozitës që të miratojë një rezolutë me qëllim tjetër, lëvizjes së kufijve dhe bashkëngjitjes së tyre me Kosovën, ashtu siç po u premton Presidenti.
Ata shtuan se në ditët e ardhshme do të takohen me shefat e grupeve parlamentare në mënyrë që seanca të mbahet sa më parë./abcnews.al