Thaçi: Në shtator i prezantoj Vuçiçit planin për rishikim të kufirit

schedule18:28 - 14 Gusht, 2018

schedule 18:28 - 14 Gusht, 2018

Presidenti  Hashim Thaçi deklaroi se në shtator do t’i prezantojë homologut të tij Vuçiç planin e tij për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Thaçi tha se kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund krizave mes dy vendeve dhe madje, për të shmangur një luftë të ardhshme.

Rishkrimi i kufirit për të bashkuar ato pjesë të Serbisë me shumicë shqiptare me Kosovën i jep fund tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe u lejon të dyja vendeve të ecin drejt anëtarësimit në BE. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Kreu i shtetit ka bërë me dije se do t’ia prezantojë planin e tij presidentit serb Aleksandar Vuçiç, kur të takohen shtatorin e ardhshëm në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. “Pa dyshim, tani është momenti që të korrigjojmë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra i gjatë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se kjo lëvizje do të ndihmojë në shmangien e tensioneve ndëretnike dhe në krijimin e një Republike Serbe si ajo e Bosnjes në veri të Kosovës. Thaçi nuk ka thënë se çfarë do të marrë Serbia në këmbim të lëshimit të territorit të banuar nga 55 mijë shqiptarë, ndërsa ka refuzuar çdo opsion për ndarjen e Kosovës në vija etnike.

“Korrigjimi i kufijve do të shmangë pa asnjë dyshim ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve, krizat e mëtejshme, problemet, apo edhe një luftë të re”, ka vijuar Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka shprehur bindjen se vendet e Perëndimit do të mbështesin çdo marrëveshje mes tij dhe homologut Vuçiç. “Nëse palët bien dakord në dialog dhe arrijnë një marrëveshje, BE dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo pakt për korrigjimin e kufijve”, ka thënë Thaçi. Ai ka shtuar se marrëveshja eventuale ka shanse të arrihet në shkurt të 2019-s. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!