Thaçi: Në Paris nuk do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi

schedule13:25 - 26 Tetor, 2018

schedule 13:25 - 26 Tetor, 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri me dije se në Paris nuk do të diskutohet për dialogun Kosovës-Serbi. Ndërsa kryeministri Haradinaj theksoi në një konferencë se mbështet pajtimin me Beogradin por jo ndryshimin e kufijve.

Deklaratat e drejtuesve të shtetit të Kosovës tregojnë edhe njëherë që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është bllokuar. Presidenti Hashim Thaçi në një prononcim për media tha se Kosova do të marrë pjesë në konferencën e Paqes në Paris, por aty nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi.

Hashim Thaci, President i Kosovës: “Natyrisht se Kosova do të marrë pjesë sikur të tjerët në këtë konferencë të thirrur nga presidenti francez Macron. Kjo është një mundësi e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës tek vendet që se kanë njohur Kosovën, por po e them se aty nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi por vetëm mundësi të afirmimit të shtetit”.

Kjo deklaratë e tij erdhi pas raportimeve se në Paris mund të zhvillohet një raund i ri i takimeve me palën serbe me ndërmjetësim të presidentit Macron. Për bisedimet me Beogradin ka folur edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në një konferencë për shtyp, ai nënvizoi se mbvështet pajtimin por jo ndryshimet e kufijve.

Ndërkohë, ende nuk ka një datë të caktuar për zhvillimin e një raudi të ri bisedimesh në Bruksel për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Raundi i fundit dështoi pasi presidenti serb Vuçiç nuk pranoi të takohej me Thaçin për shkak të pengesës që ishte krijuar për vizitën e tij në liqenin e Ujmanit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!