Thaçi në Berlin: Merkel të angazhohet në dialogun me Serbinë

schedule20:44 - 9 Maj, 2018

schedule 20:44 - 9 Maj, 2018

Nga Berlini, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar përfshirjen e Angela Merkel në dialogun me Serbinë. Nga ana e saj, kancelarja ka rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën, por ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.  

Hashim Thaçi, i cili po zhvillon në Gjermani vizitën e tij të parë si president i Kosovës, ka kërkuar aktivizimin e kancelares Merkel në dialogun me Serbinë. Rëndësinë e rolit të Merkel në këtë proces, Thaçi e ka theksuar si në takimet e zhvilluara për promovimin e librit të tij “Shtet i ri, burrë shteti modern”, ashtu edhe në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren Angela Merkel.

Hashim Thaçi: “Mendoj se BE duhet të vazhdojë rolin ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare, por e mirëpres edhe një rol aktiv dhe ndihmues në këtë proces nga ju kancelare, pasi gëzoni respektin dhe besimin e plotë në Kosovë dhe Serbi dhe jeni shpresa e vetme për Ballkanin perëndimor për të ardhmen europiane”.

Thaçi ka thënë gjithashtu se, dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje reciproke, sepse vetëm kjo sipas tij mundëson heqjen e pengesave të hyrjes së Kosovës dhe Serbisë në BE.

Nga ana e saj, Merkel ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk është një çështje e thjeshtë, por ka theksuar se në këtë pikë është me rëndësi zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Kancelarja ka nënvizuar se Gjermania mbetet një aleat i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj europiane, për të cilën dha dy porosi.

Angela Merkel: “Dua të theksoj se në Ditën e Evropës kemi shumë sfida para nesh, sfida që na presin e që janë luftimi i korrupsionit dhe ulja e papunësisë”.

Takimi i Merkel me Thaçin vjen pas atyre që kancelarja ka zhvilluar më herët me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!